Dita e dytë e imunizimit në vend! Po përfundojnë përgatitjet e pikës për vaksinim në “Boris Trajkovski”

TË FUNDIT

Këtë mëngjes lëvizje edhe në pikën për vaksinim në Spitalin “Bukuresht”. Disa persona më të moshuar po prisnin radhë për të marrë vaksinën, ndërsa kishte edhe të tillë që shpejtonin për të arritur në terminin e caktuar.

“Sot erdha për tu vaksinuar në orën 12. Erdha pak më herët për të parë se si është.”

“Çka do u rekomandoni qytetarëve që ende mendohen nëse duhet të vaksinohen?”

“Të kryejnë punë, të mos komplikojmë shumë. Ja, unë po shkoj për tu vaksinuar dhe nuk brengosem fare çka dhe si do të jetë”.

Ky zotëri sapo ka pranuar vaksinën.

“Ndjehem shkëlqyeshëm. Në mënyrë korrekte është bërë siç duhet në çdo nivel, i falënderoj shumë. Të mos mendojnë, menjëherë të vaksinohen, porosia ime është që të gjithë të vaksinohen”.

Nga Spitali “Bukuresht” thonë se jehona gjatë ditës së djeshme, por edhe sot është e madhe. Apelojnë deri te qytetarët që të mos hezitojnë dhe të paraqiten përmes “Termini im” për vaksinim.

“Dje dhe sot i gjithë procesi i vaksinimit zhvillohet sipas planit. Gjatë ditës së djeshme 140 pacientë kanë caktuar termin, pjesa më e madhe prej tyre u paraqitën në terminin e caktuar dhe u vaksinuan. Që nga mëngjesi deri në këtë moment gjithçka është në rregull. Pacientët paraqiten në terminin e caktuar, vaksinohen dhe gjithçka është në rregull”, tha Beti Geleshovska, mjeke.

TV21 këtë mëngjes e vizitoi pikën më të madhe për vaksinim në shtet ku do të zhvillohet vaksinimi masiv.

“Përgatitjet në sallën “Boris Trajkovski” ku do të bëhet vaksinimi masiv po finalizohen, pikërisht këtu prapa meje është edhe frigoriferi ku do të vendosen vaksinat.”

Janë përgatitur gjithsej 48 vende për vaksinim ndërsa kapaciteti është për rreth 5000 qytetarë në nivel ditor. Sipas planit, pika për vaksinim do të punojë prej orës 08:00 deri në 20:00. Gjatë ditës së djeshme  janë vaksinuar 730 qytetarë në pikat nëpër shtetin tonë. Tani për tani me vaksinën AstraZeneka mbetet që të vaksinohen vetëm personat mbi 60 vjet.