Dita Botërore e Ushqimit – “Tryezë – Prej fermës deri te piruni”

TË FUNDIT

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, në bashkëpunim me Organizatën për Mbrojtjen e Konsumatorëve promovoi ngjarjen ‘’Tryezë – prej fermës deri te piruni’’. Me anë të këtij promovimi qytetarëve u jepet mundësia për t’u informuar në lidhje me zgjedhjen dhe konsumimin e ushqimit dhe produkteve të shëndoshë dhe të sigurt. “Do doja të jap një porosi për të gjithë, veçanërisht te qytetarët e rinj dhe deri te të gjitha institucionet shtetërore, se motoja e Ditës Botërore të Ushqimit të Shëndoshë është ardhmëri e shëndoshë e gjithë planetit. Kjo e ndërlidh atë se Agjencia për Ushqim dhe Veterinari do të bëjë përpjekje të punojë në bazë të të drejtës ndërkombëtare për ushqim të sigurt”, thotë drejtori i AUV, Zoran Popovski..

Mariana Llonçar kryetare e Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve deklaron se përveç fushave tjera ata ndjekin edhe domenin e ushqimit, gjegjësisht ankesat e qytetarëve në këtë fushë.”Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve kyçet në shënimin e Ditës Botërore të Ushqimit bashkërisht me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari. Përkrah fushave të tjera, punojmë edhe në domenin e ushqimit, gjegjësisht i ndjekim ankesat e qytetarëve në këtë fushë me atë që është mbikëqyrje të inspeksioneve”, tha Llonçar.

Në këtë promovim ishin prezent edhe fëmijët e korit “Bilbili i artë”, të cilët janë pjesë e promotorëve të aktiviteteve të Agjencisë. Ata ndanë fletushka edukative për konsumatorët dhe mollë si sinonim për ushqim të shëndetshëm. Qytetarët thonë se ushqimi i shëndetshëm gjendet në pemë dhe perime, mirëpo mendojnë se i kushtohet pak rëndësi.

Dita Botërore e Ushqimit kremtohet nga OKB prej vitit 1981 dhe synon të sensibilizojë politikbërësit mbi urinë dhe rëndësinë e ushqimit në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.