Ministri i shëndetësisë Ilir Demiri duke e uruar 7 prillin, Dita botërore e shëndetësisë, theksoi se punon me përkushtim për përforcimin e sistemit shëndetësor. Jemi të fokusuar për përforcimin e parandalimit dhe detektimit të hershëm të sëmundjeve, tha Demiri duke treguar se vitin e kaluar janë vendosur 6 barna të reja për sëmundjet e rralla ndërsa pacientët me fibrozë cistike për herë të parë morën ilaçin e duhur.
“Investojmë në pajisje të reja mjekësore, me çka dyfish është rritur buxheti për këtë qëllim, po ashtu i përmirësojmë kushtet në institucionet shëndetësore publike përmes rikonstruktimeve. Vazhdojmë të punojmë me përkushtim edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim që t’i avancojmë kushtet për punë të punëtorëve shëndetësorë”, tha Ilir Demiri, ministër i Shëndetësisë.
Me këtë rast, edhe kandidati presidencial Arben Taravari i cili me profesion është mjek, mbajti fjalim në Tetovë.
Paga më të larta për punëtorët shëndetësorë dhe rritje të vetëdijes për shëndet më të mirë të qytetarëve, tha Milena Stevanoviq nga LSDM duke e uruar këtë ditë.
“Siguruam barna më moderne për shumë sëmundje të cilat paraprakisht nuk i trajtuam. Plani është që në të ardhmen çdo pacient ta marrë ilaçin e duhur, pa kufizime dhe limitime. Nuk mund të ketë shëndetësi të mirë pa punëtorë të motivuar shëndetësorë në çdo nivel të angazhimit të tyre”, pohoi Milena Stevanoviq, LSDM.
Nga VMRO-DPMNE e shfrytëzuan këtë ditë për t’i kritikuar politikat e ministrave të deritanishme të qeverisë aktuale.
“I dimë dëmet që pushteti aktual ia bëri shëndetësisë. U rikujtuam për pandeminë me Kovid, për zjarrin e tmerrshëm në Tetovë, për përfitimin e Filipçes nga blerja e vaksinave, për statusin e kuadrove mjekësore edhe për shumë gjëra të tjera që nuk i realizuan edhe pse premtuan”, theksoi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.
Këtë ditë botërore të shëndetësisë e festojmë me numër të ulur të punëtorëve shëndetësorë të cilët për shkak të kushteve të këqija në vend, largohen në vendet e huaja, por nuk është i vogël edhe numri i atyre të cilët mantelin e bardhë e zëvendësuan me funksionin deputet.
