Sot u shënua Dita Botërore e Lirisë së Mediave. Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 57-të në listën e 180 vendeve sipas Indeksit të lirisë së mediave të Reporterë pa kufij për vitin 2022, që paraqet përmirësim për 33 pozicioneve në krahasim me vitin e kaluar kur ishte renditur në vendin e 90-të. Siguria e punonjësve mediatik ishte njëra nga kërkesat që gazetarët i adresuan deri te presidenti e vendit. Por Pendarovski i bërë thirrje institucioneve që të ndjekin penalisht rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj punonjësve të mediave.
“Vitet e pandemisë dhe lufta në Ukrainë na kanë treguar se sa e rëndësishme është puna e mediave për marrjen e informacionit në kohë, të verifikuar dhe të paanshëm në një kohë kur përballemi me një oqean dezinformatash që janë të dëmshëm për çdo demokraci. Rrezikimi i sigurisë së punonjësve të medias po rrezikon lirinë e medias. Frikësimi, sulmi fizik, shantazhi, ngacmimi kibernetik, ngacmimi me bazë gjinore, diskriminimi dhe forma të tjera të ngacmimit i pengojnë punonjësit e medias të bëjnë punën e tyre lirisht”- deklaroi Stevo Pendarovski, Presidenti I RMV.
Kryetari i Shoqatës së gazetarëve Mlladen Çadikovski tha se liria e kufizuar e mediave kufizon edhe lirinë e atyre për të cilët punojmë – qytetarëve. Sipas tij është koha për ndryshime thelbësore të cilat garantojnë liri dhe sigurinë e punëtorëve në punë.
“Shpresoj që sot e tutje të kemi një kthesë në ndërtimin e një mentaliteti të ri, një reformë të mentalitetit, në të cilën gazetarët nuk do të shihen si thes boksi dhe as nuk do t’u kërkohet mbështetje PR. Duhet të përfundojë koha e gazetarisë PR, konferenca për media pa mundësi pyetjesh, klube debati pa gazetarë, deklarata me shkrim nga ekipet e PR të ministrive, qeverive dhe partive”- Mlladen Çadikovski, Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve TË Maqedonisë.
Ndryshe kjo ditë kujton përgjegjësinë dhe transparencën e mediave si dhe krijimin e një mjedisi në të cilin ata do ta bëjnë punën e tyre në përputhje me parimet profesionale të gazetarisë, pa presione politike dhe ekonomike. E sot te presidenti kishte edhe ekspozitë në shenjë mirënjohje për të gjithë punonjësit mediatik, e nga stafi i TV21 të përzgjedhura ishin kameramania Andriana Jovanovska dhe prezantuesja Ivana Ramadanova.
