Akusheret janë ato që u ndihmojnë grave shtatzëna gjatë procesit të lindjes. Janë bashkë me to duke filluar nga periudha përgatitore, deri në lindjen e foshnjave. I këshillojnë lehonat se si ta durojnë dhimbjen dhe si të përgatiten të bëhen nëna. Akusheret janë dora e djathë e gjinekologëve.
“Këtu në këtë dhomë ku ndodhemi tani i pranojmë lehonat dhe i përgatisim për aktin e lindjes. Gjatë gjithë kohës jemi me to, u japim mbështetje, si fizike, ashtu edhe psikike. I këshillojmë si të sillen kur do të fillojnë dhimbjet”, u shpreh Vesna Gjorgioska, akushere.
“Gjatë gjithë kohës jemi këtu me pacientet tona dhe mundohemi t’u ndihmojmë që ta përballin dhimbjen, t’i japim udhëzime si të marrin frymë dhe si të bashkëpunojnë me ne”, theksoi Tanja Petkovska, akushere.
Lindja është punë ekipore mes mjekut (gjinekolog) dhe infermieres (akushere). Shpeshherë akusheret i vërejnë problemet gjatë lindjes dhe vetëm me një shikim kuptohen me doktorin se çka duhet ndërmarrë, rrëfen dr. Adela Stefanija. Ajo thotë se shpreson se akusheret do të vazhdojnë me edukimin e tyre për ta rritur besimin dhe ta ndërmarrin përsipër procesin e lindjes, kurse mjekët vetëm të marrin pjesë gjatë lindjeve të komplikuara.
“Dua ta uroj Ditën e akushereve, sepse pa to nuk do të ishte e mundur që të zhvillohet procesi i lindjes. Ato janë mbështetja jonë maksimale gjatë lindjes. E dimë se para se të ketë numër të madh mjekësh, akusherja ka qenë kryesorja në procesin e lindjes”, tha Adela Stefanija, mjeke.
Rroga mesatare e akushereve në vendin tonë lëvizet nga 22 deri në 23 mijë denarë, gjë që sipas tyre është e pamjaftueshme në krahasim me punën e përgjegjshme që e bëjnë. Nga fillimi i këtij viti, janë lindur 1667 foshnja, përkatësisht nga 10 në nivel ditor. Edhe ky profesion është deficitar, njëjtë sikur profesionet e tjera mjekësore.
Përgatiti: Aleksandra Velinova
