Disa vendet të Evropës ashpërsojnë masat për mbrojtje nga koronavirusi

TË FUNDIT

Rivendosja e kufizimeve të reja kufitare në disa vende evropiane mund të çojë në një reaksion zinxhir.

Italia është ndër ato shtet që u kërkon një test PCR për COVID-19 për udhëtarët që hyjnë në vend edhe nëse janë plotësisht të vaksinuar.

Roma do t’i mbajë këto kufizime gjatë gjithë Krishtlindjes, ndërsa do të fillojë edhe vaksinimin e të rinjve. Shteti fqinj regjistroi një numër të ri rekord të të infektuarve.

Edhe Franca ka vendosur kufizime të ashpra për udhëtarët nga Britania e Madhe, por deri më tani nuk është e gatshme të veprojë njëlloj me vendet e BE-së.

“Ne nuk planifikojmë të kemi testime brenda Bashkimit Evropian, sepse jemi të lidhur me mirëfunksionimin e hapësirës sonë të përbashkët dhe për shkak se në momentin që një variant është në një nga vendet e Bashkimit Evropian, shumë shpejt përhapet edhe te të tjerët”, u shpreh presidenti francez, Emmanuel Macron.

Londra po shpalos fushatën e saj të vaksinimit përforcues në një përpjekje për të kontrolluar variantin Omicron që po përhapet në të gjithë vendin.

Mbretëria e Bashkuar shënoi gjithashtu një rekord të ri të të infektuarve. Për fat të mirë, numri i viktimave është shumë më i ulët se valët e mëparshme.

Për Gjermaninë problem tani është mungesa e dozave.

“Ne kemi nevojë për rreth 50 milionë doza përforcuese dhe 20 milionë doza të vaksinës së parë dhe të dytë. Kjo do të thotë se kërkesa aktuale nuk është plotësisht e mbuluar. Kjo nuk është pika më e rëndësishme. Pika më e rëndësishme është që nëse përdorim këto dërgesa për fushatën përforcuese, është thjesht shumë e ngadaltë, fushata do të përfundonte në fund të marsit”, tha Karl Lauterbach, ministri gjerman i Shëndetësisë.

Në të gjithë Evropën, kufizimet e reja kanë shkaktuar edhe kaos për shembull qeveria greke ka ndryshuar kufizimet për udhëtarët tre herë në 24 orët e fundit.