Disa orë para protestës së studentëve, Mickoski takohet me Mexhitin dhe Kasamin

TË FUNDIT

Disa orë para protestës së studentëve, kryeministri Mickoski u takua me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin. Sipas njoftimit të qeverisë, në takim është biseduar për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Nga ekzekutivi theksuan se po punohet për gjetjen e zgjidhjeve në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve.

Qeveria e RMV-së:

“Mickoski, Mexhiti dhe Kasami u pajtuan se arsimi dhe dijet përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike dhe funksionalitetit.”

Nga partia në pushtet VLEN kumtuan se atë që BDI nuk e zgjidhi për dy dekada, ata po e zgjidhin me veprime konkrete, duke pohuar se provimi i jurisprudencës do jepet në gjuhën shqipe!

VLEN:

“Për dallim nga pushteti i kaluar, i cili për më shumë se dy dekada e mbajti të pazgjidhur këtë çështje dhe e përdori vetëm për propagandë politike, VLEN po vepron me përgjegjësi dhe seriozitet institucional për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në praktikë. VLEN po dëshmon se çështjet e shqiptarëve nuk zgjidhen me deklarata boshe e as me improvizime politike, por me punë konkrete institucionale dhe me zgjidhje të plota e të qëndrueshme.”

Nga BDI thonë se  protesta për gjuhën shqipe është kauzë qytetare dhe jo partiake. Sipas tyre, gjuha shqipe nuk po ndalet vetëm te provimi i jurisprudencës.

 “Zëri i rinisë po ngritët për gjuhën shqipe të ndaluar nga shteti, për flamurin kombëtar të përdhosur nga shteti, për përfaqësimin shqiptar të sakatosur nga shteti, për ëndrrën Evropiane të ndaluar nga shteti, për vullnetin kombëtar të nëpërkëmbur nga shteti, ata po protestojnë për të ardhmen e barabartë dhe Evropiane!  Prandaj, zgjidhjet e juaja NO PASSARAN! MJAFT MË Rinia e ka fjalën!”, pohoi Arbër Ademi, sekretar gjeneral i BDI-së.

Edhe partitë tjera opozitare shqiptare thonë se mos respektimi i gjuhës shqipe është shkelje e parimit bazë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit të 2001-it.