Nëpunësit administrativë në Agjencinë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive nuk duan të zhvendosen në objektin e ri të zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes komuniteteve, Artan Grubi. TV21 mëson se një pjesë e të punësuarve tashmë kanë dorëzuar iniciativë në Qeveri, me të cilën kërkojnë të vazhdojnë në punojnë në selinë aktuale të Agjencisë.
“I apelojmë Qeverisë së RMV-së, që përmes organeve dhe shërbimeve kompetente, duke e përfshirë edhe Shërbimin për Punë të Përbashkëta dhe të Përgjithshme, i cili është përgjegjës për menaxhim me objekteve që janë në pronësi të Qeverisë, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim që Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive të vazhdojë me punë dhe kryerje të obligimeve të saj ligjore në selinë aktuale të Agjencisë që gjendet në rrugën “Dame Gruev” nr.1 në Shkup”, thuhet në letrën e të punësuarve në ARDN dërguar deri te Qeveria.
Në letrën në fjalë shkruan se arsyeja për nismën e tyre është deklarata e Grubit, të cilën e ka dhënë në një ngjarje të organizuar nga ana e Agjencisë, ku ka thënë se edhe Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, gjendet në listën e institucioneve që duhet zhvendosur në objektin e ri të Ministrisë.
Të punësuarit konsiderojnë se është e pamundur që në një hapësirë në të cilën punojnë më shumë nëpunës administrativë, të mbahen takime me delegacione nga kolektiva të ndryshëm kombëtarë. Shtojnë se me zhvendosjen e selisë në ndërtesën e Ministrisë për Sistem Politik, do të kufizohet edhe kapaciteti hapësinor i Agjencisë. Zëvendësdrejtori i ARDB-së, Xhelal Hoxhiq, për TV21 konfirmoi se iniciativën e kanë dorëzuar 8 nga gjithsej 23 të punësuar.
“Ne si udhëheqës i inkurajojmë të punësuarit që mbi bazë të pozitave, qëndrimeve apo frikës së tyre, lirisht të dorëzojnë iniciativë. Unë mund të them në emrin tim personal se nuk e mbështeta këtë iniciativë, sepse konsideroj se ka mungesë të argumenteve. Ne zyrtarisht në letër, ende nuk kemi ofertë për t’u transferuar”, theksoi Xhelal Hoxhiq – zëvendësdrejtor i ARDB-së.
Nga Qeveria për TV21 thonë se ende nuk ka vendim për transferim të këtyre të punësuarve në objektin e ri pranë Operës dhe Baletit Kombëtar. Prej atje shtojnë se në qoftë se merret vendim lidhur me këtë çështje, opinioni do të informohet me kohë. Në ndërtesën e re janë vendosur disa institucione.