“Mjaft kohë harxhuam sot në bisedime intensive në të gjitha temat e hapura, katër apo pesë sa ishin të hapura në këtë moment. Mund të kumtoj se nuk arritëm marrëveshje përfundimtare, edhe pse kishte afrim të qëndrimeve sa u përket temave të caktuara”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski në orët e hershme të mëngjesit, pas përfundimit të bisedimeve në rezidencën e BE-së në Përzhino të Shkupit.
“Biseduam edhe për ligjin për materialet, ai që u dha në parlament para një jave. Këtu tentuam të vendosim balanc mes mbrojtjes të interesit publik dhe lirisë së të shprehurit, të cilën ju gazetarët e theksonit, e nga ana tjetër kërkonim mënyrë që të respektohet ajo që është shkruar në marrëveshjen e 2 qershorit dhe 15 korrikut. Biseduam seriozisht edhe për ligjin për denoncuesit apo “fishkëlluesit”, këtu po ashtu vështrohen më tepër aspekte dhe standarde të vendeve evropiane, por që nuk janë akoma në legjislaturën e Maqedonisë, dhe mendoj se këtu kemi afrim të qëndrimeve mes partive politike, mirëpo, do të duhet të bëhen eforte shtesë për afrim të mëtejmë”, tha Dimovski.
Dimovski informoi se për ditën e nesërme u është paralajmëruar takim i serishëm të grupeve punuese. Edhe Dimovski theksoi se negociatorët mbeten tërësisht të përkushtuar për arritje të marrëveshjes rreth të gjitha çështjeve të hapura. “Shpresoj se do të arrihet, me mjaft energji dhe punë. Prapëseprapë, kjo është situatë e ndërlikuar e cila duhet të zgjidhet. Mendoj se në ditët e ardhshme do të kemi sukses për të arritur deri te zgjidhja dhe të sigurojmë një zhvillim normal të marrëdhënieve politike në vend”, deklaroi Dimovski.
