Dështoi edhe kjo përpjekje që në Kuvend të debatohet për rastin me shtetësinë që i është dhënë Oleksandrër Onishçenkos. Ish-drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski nuk erdhi në seancën e Komisionit kuvendor për Mbikëqyrje të Punës së ASK-së, edhe pse ishte ftuar me kohë, e as nuk u dërgua ndonjë përfaqësues nga kjo Agjenci.
Në këtë Komision duhej të vazhdonte debati rreth kontrolleve të sigurisë gjatë dhënies së mendimit pozitiv me të cilin Onishçenko fitoi të drejtën të marrë shtetësi të RMV-së. Kryetari i Komisionit, Lupço Prenxhov, thotë se sjellja e këtillë e Dimovskit është e papërgjegjshme, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë përgjigje për këtë rast edhe nga drejtori i ri i Agjencisë.
“Ne do të bisedojmë, kjo nuk do të mbarojë me kaq, seanca nuk është e mbyllur, pika nuk është e mbyllur, dhe në periudhën e ardhshme do të thërrasim seancë me qëllim që të marrë epilog “misteri” Onishçenko”, tha Lupço Prenxhov, Komision për mbikëqyrje të ASK-së.
Dimovski në fakt nuk u shkarkua nga ASK-ja për shkak të këtij lëshimi, por ai duhet të shkojë në funksionin e ambasadorit në Francë. Mbi këtë temë duhet të debatojë Komisioni për punë të jashtme në krye me Antonio Milloshoski i cili paralajmëroi se seancën për Dimovskin do ta thërrasë kur të ketë epilog nga Komisioni për mbikëqyrje të ASK-së. Në vendin e Dimovskit, në krye të ASK-së u emërua Zarko Milloshevski nga Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar me NATO, ndërsa pikërisht ky është sektori ku u detektua lëshimi i bërë. Kryeministri Kovaçevski tha se ai u emërua për shkak të profesionalizmit të tij.
“Ai është profesionist, i cili karrierën e tij profesionale e ka filluar në 1997 në Drejtorinë e atëhershme për siguri dhe kundër zbulim pranë MPB-së dhe ka përparuar në karrierën e tij. Kur do të mbarojë hulumtimi nga ana e institucioneve kompetente, atëherë mund të komentoni për këtë rast”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Në lidhje me atë nëse Dimovski pas këtij skandali do të shkojë në funksionin e ambasadorit, Kovaçevski tha se procedurën për emërimin e tij e mbaroi Qeveria, ndërsa tani duhet të veprojë Komisioni kuvendor për punë të jashtme dhe presidenti i shtetit.
