Dimovski në seancë të mbyllur të Qeverisë! Komisioni për mbikëqyrje të ASK-së mbetet i pezulluar

TË FUNDIT

Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, në seancë të mbyllur qeveritare me llogaridhënie për mënyrën se si është dhënë mendim pozitiv për shtetësinë e oligarkut kontrovers,  Oleksandër Onishçenko. Në opinionin publik nuk do të zbulohet se çka ka thënë Dimovski, e as nuk dihet nëse do të sillet vendim për shfuqizimin e shtetësisë së oligarkut kontrovers ukrainas. Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se nga seancat e mbyllura nuk mund të ndahet asnjë informacion. 

“Sot kemi seancë të mbyllur të Qeverisë në të cilën drejtori i ASK-së do të referojë për të gjitha detajet lidhur me atë se si është lëshuar kjo shtetësi, gjegjësisht në ç’mënyre janë siguruar mendimet pozitive. Nuk mund të komentoj asgjë tjetër, duke pasur parasysh se nga seancat e mbyllura të Qeverisë nuk guxon të jepen informacione, sepse kjo paraqet vepër penale”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Të premten, po ashtu në seancë të mbyllur Dimovski referoi para deputetëve të komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së. Gjatë referimit të tij ndodhi incident, përkatësisht doli audio incizim në kanalin e Youtub të Kuvendit. Kryeparlamentari Talat Xhaferi në atë moment e ndërpreu seancën e Komisionit por nuk dihet se kur do të vazhdojë e njëjta. Xhaferi sot konfirmoi se Komisioni edhe më tej mbetet i suspenduar derisa nuk konstatohet se kush është përgjegjës  për lëshimin e sigurisë dhe nëse bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm ose për përgjim.

“Ende po pritet rezultati i hetimit të MPB-së. Duhet të konstatohet se si ka ndodhur kjo dhe nëse bëhet fjalë për faktor njeriu ose dikush prej jashtë ka përgjuar. Ne nuk kemi kapacitete adekuate që të bëjmë mbikëqyrje të tillë profesional, andaj hetimin e zbaton MPB-ja”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit

Nga VMRO-DPMNE dyshojnë se ky incident me transmetimin e audio incizimit të seancës në Yuotub kanalin e Kuvendit është i qëllimshëm që të maskohet i gjithë procesi i përgjimit. Prej atje kërkojnë që Dimovski të japë dorëheqje për shkak të skandalit me Onishçenkon, e jo të presë që të shkojë në pozitën e ambasadorit në Paris.


“Unë dyshoj se i gjithë incidenti të premten u inskenua. Për shkak se nuk kishte mënyrë tjetër që të pengohet puna e Komisionit për mbikëqyrje përveç të inskenohet një incident. Kryetari i Kuvendit i cili vjen nga shumica parlamentare thotë se nuk do të vazhdojë Komisioni të cilin po e udhëheq opozita, derisa mbaron hetimi dhe raporti nga ana e MPB-ja, institucion të cilin e udhëheq ministër po ashtu  nga  shumica parlamentare, kështu që në mënyrë teorike, hetimi mund të zgjasë dy vjet që do të thotë se dy vjet nuk do të ketë komision”, theksoi Aleksandar Nikolloski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Kovaçevski këto ditë tha se do të ketë ndryshim në pozitën e drejtorit të ASK-së ku tani është Dimovski, por jo për shkak të përgjegjësisë për skandalin me Onishçenko por për shkak se shefi i shërbimeve të sigurisë pret që të shkojë në funksionin e ambasadorit në Paris.