Procedura që e zbatoi ASK-ja për rastin me oligarkun kontrovers Oleksandar Onishçenko, tani për tani ka treguar se personi që kishte për obligim ta bëjë kontrollin e nivelit të fundit në konsultim me NATO-n, nuk e ka kryer detyrën, tha drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski. Ai tha se hetimi do të vazhdojë që të vërtetohet nëse bëhet fjalë për lëshim të një personi dhe nëse ky lëshim është i rastësishëm ose i qëllimshëm, duke paralajmëruar se do të ndërmerren masa.
“Konstatuam se niveli i fundit që duhej bërë konsultim ndërkombëtar me partnerët në kuadër të NATO-s, ka dhënë autorizim megjithatë ka nënshkruar se nuk ka rrezik sigurie pa e bërë hapin e fundit. Për shkak se u detektua personi që e ka nënshkruar pa e bërë punën e tij me vetëdije, janë ndërmarrë masa për caktimin e përgjegjësisë. Na mbetet që të konstatojmë nëse bëhet fjalë për lëshim ose për qëllim ose për ndonjë interes fitimprurës.”- deklaroi Viktor Dimovski, Drejtor i ASK-së.
Përveç paralajmërimeve se do të zbatohen masa për lëshimin e bërë, drejtori i ASK-së nuk tha nëse vetë ai do të mbajë përgjegjësi, për shkak se në dokumentin e sigurisë për Onishçenko është nënshkrimi i Dimovskit.
“Përgjegjësia do të vërtetohet në nivel lokal dhe nëse më pyesni mua, unë ju them se jam në Maqedoni, nuk mendoj që të shkoj në Budapest, në Greqi, ose ta ndryshoj adresën e banimit. Mbetem këtu dhe jam i gatshëm që të ballafaqohem me gjithçka, nëse mendohet se duhet të mbaj përgjegjësi.”- pohoi Viktor Dimovski, Drejtor i ASK-së.
E ndërkohë edhe një lëshim sigurie. Seanca e Komisionit në të cilën referoi Dimovski ishte e mbyllur për opinionin, shkaku i informacioneve të klasifikuara, por në një moment u konstatua se kanali i Kuvendit në Jutjub transmetonte audio. Pavle Trajanov i parashtroi pyetje kryeparlamentarit, Talat Xhaferi – nëse kjo është e vërtetë dhe nëse do të ketë kontroll për këtë lëshim?
“Kërkoj që të hetohet e gjithë kjo situatë, sepse është jashtëzakonisht e papërgjegjshme të mbajmë seancë me karakter të mbyllur për çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, kurse gazetarët siç pretendohet t’i dërgojnë këto informacione përmes “streaming-ut”. Kështu që, si kryeparlamentar ju lus ta bëni këtë nëse është e saktë, sepse të gjithë gazetarët janë informuar sepse siç pretendohet e kanë ndjekur seancën në fjalë.”- tha Pavle Trajanov, Lidhje Demokratike.
“Unë jam kryetar i Kuvendit dhe po më drejtoheni mua, mos mendoni se unë jam diku jashtë, në kozmos dhe nuk ndjek se çka po ndodh. Por, nuk është korrekte që të dalësh këtu dhe të japësh gjëra të cilat nuk guxon t’i japësh, gjëra të cilat janë në fazë shqyrtimi. Në fakt, keni certifikatë për informacione të klasifikuara dhe derisa institucioni nuk del për të thënë çka është korrekte e çka jo….”- pohoi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Për shkak të kësaj situate, seanca për dëgjimin e Dimovskit u ndërpre pa asnjë përfundim. Ndryshe, Presidenti Stevo Pendarovski dje tha se për rastin me dhënien e autorizimit për marrje të shtetësisë së Oleksandar Onishçenko i cili është në listën e zezë të SHBA-ve, në qoftë se konstatohet se shefi i shërbimeve të sigurisë, Dimovski ka përgjegjësi, atëherë nuk do ta nënshkruajë Dekretin për emërimin e tij si ambasador në Paris.
