Dimitrov: Si vend dhe popull të trajtohemi me dinjitet që e meritojmë

TË FUNDIT

Rasti i Maqedonisë së Veriut është test serioz për perspektivën evropiane të rajonit dhe për postulatet e Unionit si bashkësi të vlerave, që e shënon llojllojshmërinë gjuhësore dhe kulturore të kontinentit. Investimi është i madh, dhe bëj thirrje që si vend dhe popull të trajtohemi me dinjitetin që e meritojmë dhe të zbatohen kriteret për qasjen drejt Unionit, si dhe vlerat evropiane.

Këtë sot e deklaroi zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov në ditën e dytë të mbledhjes joformale të ministrave për çështje evropiane, në fjalimin e tij në sesionin plenar në Bërdo, Slloveni, të quajtur “Drejt rezistencës më të madhe të Bashkimit Evropian pas krizës me Kovid-19”.

Fokusi kryesor i diskutimit, siç kumtoi SÇE, është vendosur në përforcimin e kapaciteteve të Unionit për ballafaqim dhe rikuperim nga kriza me Kovid-19, me ç’rast zëvendës kryeministri Dimitrov e ka potencuar rëndësinë e zhvillimit të qasjes së koordinuar të përbashkët të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për menaxhim me sfidat e ndara, si mundësi për integrim më të madh.

“Virusi nuk njeh kufij dhe nuk din nëse vendet janë anëtare ose kandidatë për anëtarësim. Për këtë shkak rajoni i jonë, i rrethuar me vende anëtare të BE-së, duhet së bashku me BE-në të ballafaqohet me krizat e përbashkëta, siç është pandemia”, tha Dimitrovi.

Në këtë kontekst, Dimitrovi potencoi se Ballkani Perëndimor është i përfshirë në shumë mekanizma të BE-së për ballafaqim me krizën shëndetësore, por edhe rikuperimin socio-ekonomik.

“Fjala krizë do të thotë moment vendosës. Pikërisht për zgjerimin, në kuadër të kryesimit slloven na pret një moment i tillë vendosës në kuptim të nevojës për jetësimin e ëndrrës evropiane në Ballkanin Perëndimor. Suksesi do të jetë i përbashkët, Dështimi do të jetë i përbashkët”, tha Dimitrov.