Mungesa e fuqisë punëtore dhe reformat strukturore të parealizuara janë problemi kryesor i biznesit, ndërsa politikanët merren me zgjedhje. Po mbyllen kompani, po pushohen punëtorë, dhe ka edhe firma që kanë vështirësi në pagesën e pagave. Këtë e thanë në emisionin Biznes 21 Nuhi Aliu, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve dhe Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.
“Më e keqja dhe më e rënda për ekonominë është kur nuk ke fuqi punëtore… nëse nuk ke fuqi punëtore, duhet të mbyllësh kompaninë”, tha Nuhi Aliu, Kryetar i OEMVP.
“Në vitin 2015 ishim 46.000, në këtë moment janë 21.000 punëtorë, që do të thotë se shumë shpejt në Maqedoni mund të ndodhë që industria e tekstilit të bjerë në 10.000 të punësuar”, shtoi Angel Dimitrov – OPM.
“Pjesa më e madhe e ekonomisë, 98 për qind, janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, mikro dhe të vogla. Periudha e arkëtimit është midis 250 dhe 400 ditë. Dhe për këtë arsye numri më i madh i pushimeve nga puna, mos-pagesa e pagave, e kështu me radhë”, u shpreh Mile Boshkov – Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.
Edhe pse përballen me mungesë fuqie punëtore, ata thonë se është e vështirë të arrihet paga minimale prej 500 eurosh, siç kërkon sindikata, pa ndërhyrje nga Qeveria për kontributet. Thonë se as importi i fuqisë punëtore nga jashtë nuk është zgjidhje, sepse edhe punëtorët e huaj pas dy-tre muajsh largohen nga vendi në kërkim të pagave më të larta.
“Dëshirat janë në “libër dëshirash”, këtu bëhet fjalë për ekonomi – ekonomia nuk është dëshira. 500 euro është një shifër e trilluar që dikujt i ka shkuar në mend, nuk është shifër bazuar në matematikë”, u shpreh Angel Dimitrov – OPM.
“Kështu nuk bëhet, paga minimale nuk llogaritet sipas dëshirës së dikujt, shumë mirë e tha. Duhet që parametrat ekonomikë të jenë bazikë që të arrihet paga minimale, jo thjesht në mënyrë të përgjithshme”, tha Angel Dimitrov – OPM.
“Baloni i pagës minimale ndoshta edhe duhet të “plasë”, por nuk duhet të jetë një kategori që do t’i udhëheqë të gjitha negociatat e tjera sociale”, tha u shpreh Mile Boshkok.
Bizneset kërkojnë zbatimin e reformave strukturore të paralajmëruara, siç janë digjitalizimi, lufta kundër ekonomisë gri, kundër korrupsionit, dhe vendosjen e më shumë theksi te biznesi vendas, në vend të përfitimeve për investitorët e huaj.