Ish-ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, nënshkrues i Marrëveshjes së Prespës, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, duke thënë se Marrëveshja e Prespës nuk duhet të shihet si dështim, por si një nga “armët më të forta” në mbrojtjen e identitetit maqedonas dhe se duhet të përdoret në mënyrë strategjike në politikën e jashtme, përcjell TV21.
Ai thekson se në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet unitet dhe jo përçarje, duke shtuar se edhe ata që kanë qenë kundër marrëveshjes sot duhet të qëndrojnë në linjën e saj dhe të pranojnë realitetin e ri diplomatik, veçanërisht në raport me njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas nga Greqia.
Duke e krahasuar me “propozimin francez”, Dimitrov thotë se nuk mund të trajtohen si të njëjta dy marrëveshje që, sipas tij, kanë pasoja krejtësisht të ndryshme për vendin, duke paralajmëruar se ndryshimet kushtetuese pa mbrojtje juridike mund të sjellin bllokada të reja. Ai bën thirrje për unitet politik dhe shtetëror, duke theksuar se në çështjet e interesit nacional nuk duhet të ketë përçarje partiake, por qëndrim të përbashkët në mbrojtje të shtetit.
