Kjo ndërtesë gjendet në rrugën “Mihaill Eftihij” në Kisella Vodë të Shkupit. Poshtë saj, në orët e hershme të mëngjesit u dogj vetura në pronësi të burgut të Idrizovës, që shfrytëzohej nga drejtori Zoran Jovanovski.
“Në këtë vend në orët para të mëngjesit është djegur vetura e drejtorit të burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski. Automjeti ka qenë i parkuar poshtë këtij objekti ndërsa më pas zjarri ka nisur të përhapet edhe në këtë ndërtesë”, raporton gazetarja Fazile Halili.
Nga MPB thonë se zjarri është shuar nga ekipi i Brigadës për mbrojtje nga zjarri – Shkup, dhe nuk ka persona të lënduar.
“Me datë 15.05.2024 rreth orës 03:35 në Stacionin Policor të Kisella Vodës në Shkup është raportuar se në rajonin e Kisella Vodës, kishte marrë flakë automjeti i parkuar “Volkswagen Passat” me targa të Shkupit në pronësi të burgut të “Idrizovës”, që ishte parkuar nga Z.J.”, thanë nga MPB-ja.
Nga Prokuroria kanë kumtuar se bashkë me ekspertë të Departamentit për hetime forenzike të MPB-së kanë kryer kontroll në vendin e ngjarjes.
“Nga vendi i ngjarjes janë grumbulluar gjurmë, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Janë siguruar pamjet e video survejimit të ambienteve përreth dhe po ndërmerren veprime”, kumtoi Prokuroria Publike Themelore.
TV21 u përpoq të bie në kontakt edhe me drejtorin Zoran Jovanovski, por ai nuk u përgjigj.
Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që punonjësve në burgun e Idizovës t’iu digjet makina. Vitin e kaluar disa herë për shkaqe të panjohura janë djegur vetura të punonjësve të burgut “Idrizovë”. Vitin e kaluar u dogj edhe automjeti i zëvendësdrejtorit Femi Jonuzi.
