Digjet një veturë në “Xhon Kenedi” të Shkupit, flakët përfshijnë edhe dy automjete të tjera

TË FUNDIT

Një automjet është djegur plotësisht në orët e para të mëngjesit në Shkup, ndërsa zjarri ka shkaktuar dëme edhe në dy vetura të tjera, si dhe në një ndërtesë dhe një lokal në afërsi. Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 04:15 në rrugën “Xhon Kenedi”, ku është përfshirë nga flakët një veturë e tipit Seat Altea me targa të Shkupit, në pronësi të një 34-vjeçari, përcjell TV21. Zjarri është përhapur edhe te një Mercedes dhe një Opel, të cilat kanë pësuar dëmtime.

Si pasojë e flakëve janë dëmtuar edhe një pjesë e fasadës së ndërtesës, si dhe dritaret e një objekti hotelierik që ndodhej pranë vendit të ngjarjes. Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e Brigadës së Mbrojtjes Kundër Zjarrit të Shkupit, të cilat kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.