Dielli molisë 5 policë në ceremoninë për ditën e tyre! Mickoski: S’ka më “do ta rregullojmë” dhe “do të të telefonoj”

TË FUNDIT

Roli kyç i policëve në sigurinë publike dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit ishte theksi në shënimin e 7 majit – Ditës së Policisë së Maqedonisë. Në ceremoninë në Qendrën për trajnime të MPB në Idrizovë u fol për rezultatet e arritura, si ulja e kriminalitetit dhe shtypja e grupeve të krimit të organizuar. Por, nisja e ngjarjes me vonesë dhe fjalimet e gjata të zyrtarëve, bëri që disave me uniformat blu të molisen gjatë qëndrimit “gati-tu” në diell.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski theksoi rëndësinë e policëve në ruajtjen e sigurisë publike dhe tha se të jesh polic nuk do të thotë vetëm të vesh uniformë, por edhe përkushtim për mbrojtjen e atdheut.

“Filluam luftë të fuqishme kundër korrupsionit, e cila plotësisht e ka kapluar shoqërinë dhe ka vënë çerdhe në çdo cep. Në atë pjesë iu shkaktuam disfatë duke asgjësuar 2 grupe të organizuara kriminale me 26 anëtarë, njëra prej të cilave është në domenin e korrupsionit të lartë.”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se në vend nuk ka vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia.

“Ishte një kohë kur institucionet përdoreshin për interesa personale dhe politike, jo për drejtësi. Mesazhet “do ta rregullojmë” dhe “do të të telefonoj” ishin më të zhurmshme se ligji. Ajo kohë ka mbaruar. Dua të them sot publikisht dhe me zë të lartë se në këtë shtet nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia. Ligji vlen për të gjithë, pavarësisht nëse është qytetar i thjeshtë, funksionarë apo biznesmen”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në kuadër të festës u mbajt edhe ekspozita dhe prezantimi i pajisjeve të njësive të ndryshme policore u shpërndanë mirënjohje. Një minutë heshtje u mbajt për të rënët në detyrë dhe pastaj u intonua himni.