Dibranët me dhimbje të madhe dhe me pabesi e morën lajmin për vdekjen e Albert Kabës, të cilin të gjithë e thërrisnin Berti, njëri prej futbollistëve më të mirë në historinë e klubit futbollistik Korabi.
Lajmin e publikoi klubi duke theksuar se Berti nuk ka arritur ta fitojë betejën me koronavirusin e rrezikshëm.
“Me dhimbje të madhe kumtojnë se vdiq ish-futbollisti i KF Korabi, Albert Kaba-Berti, duke e humbur luftën me virusin vdekjeprurës. Më shumë vite ishte pjesë e ekipit tonë, por përgjithmonë do të ngelet në kujtesë si ikonë e futbollit dibran. Ngushëllime të thellë dhe të sinqertë për familjen dhe miqtë”, theksohet nga klubi.
Albert Kaba (44), në Dibër të gjithë e dinim si futbollist të madh, një njeri me shpirt të ndritur, një djalë i përkushtuar, një burrë i mirë, një prind i kujdesshëm, por edhe si një njeri i shkëlqyer që gjithmonë dinte të ndihmonte këdo në nevojë.
Alberti deri para dhjetë vitesh e mbante fanellën e ekipit të tij të preferuar, vlente si golgeter i madh dhe njëri nga shënuesit më të mirë në historinë e klubit.
Ai u varros në varrezat myslimane në Dibër.
