DIBRA ME KRYETAR TË RI, OHRI DHE NOVOSELLE NË BALOTAZH

TË FUNDIT

Dibra është e vetmja komunë që arriti të zgjedhë kryetar komune në rrethin e parë të zgjedhjeve të parakohshme lokale. Kandidati i BDI-së Hekuran Duka, fitoi 4106 vota, apo 50.9%, përderisa kundërkandidati i tij Arben Agolli nga ASH, mori 3834, apo 46.77% të votave. Në Dibër votuan gjithsej 8198 qytetarë. Mbrëmë kryetari i ri, Hekuran Duka, u drejtua para qytetarëve të Dibrës, ku premtoi se Dibrën do ta bëjë më të mirë.

“Ne do të udhëheqim me të gjitha sfidat, me të gjitha nevojat që ka ky qytet, kjo popullatë. Ne do të udhëheqim kurse i ftojmë të gjithë që të na bashkangjiten, ngase unë kam një qëllim të mirë, që Dibrën ta bëjmë ashtu siç duan të gjithë”, deklaroi Kryetari I Komunës së Dibrës, Hekuran Duka.

Zgjedhjet e djeshme për kryetar të komunës në Ohër dhe Novo Sellë nuk nxorën fitues. Në këto komuna kryetari do të zgjedhet në rrethin e dytë, më 5 maj.

Në Komunën e Ohrit në rrethin e dytë zgjedhor do të përballen Konstantin Georgieski nga LSDM-ja dhe Mitre Milloshevski nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas të dhënave nga KSHZ nga pesë kandidatët të cilët garonin për të udhëhequr më Ohrin nuk kanë arritur të marrin 51% e nevojshëm të votave.  Ndryshe dalja e votuesve në qytetin e Ohrit dje ishte 53.84%.

Në Novo Sellë në rrethin e parë, kandidati i VMRO-DPMNE-së Nikollço Stoillkov, mori 2.753 apo 49.61 % të votave të përgjithshme, ndërsa kandidati i LSDM-së, Nikolla Angellov mori 2.693 vota, apo 48.53%. Ndryshe në Novo Sellë dalja ka qenë 49.10%.

Ndryshe, Gjykata Administrative deri tani ka vepruar rreth katër rasteve të ndërlidhura me zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunave Ohër, Novosellë dhe Dibër, tre prej të cilave janë refuzuar dhe një është pranuar. Është pranuar vetëm ankesa e Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillimin rural, me të cilin shfuqizohet vendimi i Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit nga 17 prilli i vitit 2019 për hapje të procedurës për hulumtim të pagesës së subvencioneve.

“Deri tani gjykata admisnitrative në lidhje me zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet lokale në tre komuna, ka shqyrtuar katër raste edhe atë dy raste të televizionit 1Tv dhe një rast i icli u vendos ditën e premte, me rasin e vendimit të Komisionit shtetëror për Antikorrupsion, me padi të Agjnsionit për mbështetje të zhvillimit rural. Besoj se në kohë jeni të informuar për rastet në ueb faqen e gjykatës administrative”, potencoi Burim Sejdini, Kryetar I Gjykatës Administrative.

Në mars të këtij viti janë formuar pesë këshille, të cilat vendosin rreth ankesave. Afati për vendimmarrje të Gjykatës Administrative është 48 orë nga momenti i parashtrimit të ankesës. Në zgjedhjet e fundit në Gjykatën Administrative janë parashtruar 27 ankesa.

 

Përgatiti: Almedina Ismajli