Dhuna dhe ngacmimet mes bashkëmoshatarëve, përfshirë edhe ato online, janë dy prej fenomeneve që i shqetësojnë më shumë të rinjtë. Ky është konkluzioni në të cilin ka ardhur Iniciativa për perspektivë europiane në korniza të projektit “Platforma për edukim qytetar të të rinjëve për luftë kundër radikalizimit”, e cila i prezantoi dhe shpëbleu idetë më të mira për zhvillim në shoqëri.
“Problemi më prezent tek të rinjtë sa i përket dhunës nga ajo që mundëm të mësojmë deri tani dhe mendoj se ishte shumë publike, është dhuna mes bashkëmoshatarëve, sajber dhuna, kështu që shumë ju intereson të rinjve të mësojnë se si të bashkëpunojnë dhe si t’i tejkalojnë ato probleme”, tha Kristina Sibinovska, drejtor i Projektit.
Mentorja Tamara Petkovska tha se të rinjtë e njohin dhunën dhe diskriminimin si dhe kërkojnë ndihmë nga ekspertë të fushës.
“Në përgjithësi pjesa më e madhe e njohin dhunën duke reaguar dhe duke u ndihmuar shokëve të tyre. Pjesë e tyre kanë qenë edhe persona të cilët kanë pësuar dhunë ekstreme si bulling, përqeshje dhe diskriminim, largim nga shoqëria. Gjëra që shumica e tyre e gjejnë në shoqërinë e tyre e ajo që më së shumti e kërkojnë është të flitet me persona kompetentë dhe ekspert të fushës e të cilët do të mund t’u jepnin këshilla dhe udhëzime se si të menaxhojnë me raste të tilla”, u shpreh Petkovska.
Zllatko Apostolloski nga Komiteti Nacional kundër terrorizmit, thotë se duhet bashkëpunim më i fuqishëm edhe në nivel qendror por edhe në nivel lokal, me qëllim që të amortizohen këto dukuri.
“Pushteti lokal duhet patjetër t’i ndërtojë mekanizmat preventive. Ne në përputhje me standardet evropiane dhe ajo që Bashkimi Europian na e imponon si standarde në këtë temë, ne ofrojmë disa mjete për pushtetin lokal, vetëm se i kemi prezantuar. Ato janë këshilltarë lokal për parandalim, ekipe të cilat duhet të punojnë më ngushtë në këtë përmbajtje në këtë problematikë. Mbetet vetëm pushteti lokal të tregojë pak më tepër dëshirë që t’i pranojë këto mjete dhe të fillojmë së bashku t’i zhvillojmë”, vlerëson Apostolloski.
Sa i përket luftës kundër terrorizmit, Apostolloski njoftoi që në luftërat në Siri dhe Irak nga Maqedonia janë rekrutuar gjithsej 143 persona ndërsa mosha mesatare e tyre është 35 vjeç.
