Dhoma Amerikane e Tregtisë: Shumica e kompanive të SHBA-së në Kinë janë optimiste

TË FUNDIT

Bizneset amerikane në Kinë janë më optimiste për perspektivën e tyre në ekonominë e dytë më të madhe në botë, sipas një sondazhi nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shangai të publikuar të premten.

Nga 124 drejtues të ndërmarrjeve të anketuar nga 11 deri më 15 nëntor, më shumë se gjysma (54.8 për qind) thanë se janë “më optimistë” dhe 8.1 për qind “shumë më optimistë” për një ndryshim të qasjes së ShBA-së ndaj Kinës. Vetëm dy u shprehën më pesimistë për të bërë biznes në Kinë.

Shumica e të anketuarve e shikojnë të ardhmen pozitivisht, tha Ker Gibbs, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shangai në një intervistë për CNBC-në. Ai mendon që administrata e Joe Biden-it do të luajë një rol pozitiv në stabilitetin e mjedisit dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Tensionet midis ShBA-së dhe Kinës u përshkallëzuan gjatë administratës së Trump-it. Presidenti Trump filloi luftën tregtare me Kinën, duke hasur në kundërpërgjigje, gjë që bëri që të dy vendet të vendosnin tarifa për mallrat e njëri-tjetrit me vlerë prej miliarda dollarësh. Konflikti tregtar u zgjerua më pas në konfrontime në fushat e teknologjisë dhe të financave.