Dezinformimi mund ta orientojë popullatën kundër vaksinave për Covid-19

TË FUNDIT

Teoritë e konspiracionit dhe dezinformimet e rrisin mosbesimin ndaj vaksinave. Kjo mund të çojë në më pak njerëz që do të vaksinohen kundër koronavirusit të ri në Britani të Madhe dhe SHBA, gjë që do të parandalonte formimin e imunitetit kolektiv, transmetuan mediat amerikane, duke cituar një studim të fundit.

U anketuan 8.000 njerëz në të dy vendet. Më pak se 55 për qind e të anketuarve thonë se ata “definitivisht” do të imunizohen kundër koronavirusit. Sipas shkencëtarëve, rreth 55 për qind e popullsisë duhet të vaksinohen për imunitet kolektiv.

Hajdi Larson, profesoreshë në Shkollën për higjienë dhe mjekësi tropikale në Londër, e cila ishte bashkëautore e studimit, tha se vaksinat funksionojnë vetëm nëse njerëzit i marrin ato. Ajo theksoi se dezinformimet i rrisin shqetësimet dhe pasigurinë në lidhje me vaksinat e ardhshme kundër koronavirusit.

Në sondazhin për dezinformim, 3.000 të anketuar në çdo vend ishin të ekspozuar ndaj dezinformimit të përhapur në rrjetet sociale në lidhje me vaksinën e koronavirusit midis qershorit dhe gushtit. Të tjerët 1.000 në secilin vend vepruan si një grup kontrolli. Atyre iu treguan informacione faktike në lidhje me vaksinën e koronavirusit.

Para se të dezinformoheshin, 54 për qind e të anketuarve në Britaninë e Madhe dhe 41,2 për qind në SHBA thanë se ata “definitivisht” do të imunizohen. Por pasi u dezinformuan, vetëm 6,4 për qind në Britani të Madhe dhe 2,4 për qind në SHBA thanë se do të vaksinoheshin.

Në të dy vendet, njerëzit me të ardhura të vogla dhe pakica kanë më shumë gjasa të refuzojnë vaksinën e koronavirusit.