Dezinformatat dhe lajmet e rreme. Debat në “Click Plus” për dëmin që i sjellin shoqërisë

TË FUNDIT

Dezinformatat dhe rëndësia e edukimit mediatik ishte tema e debatit të mbrëmshëm në Click Plus. Gazetarja Elida Zylbeari, tregoi se si dezinformatat e rritën vdekshmërinë nga pandemia, për shkak se njerëzit i besonin lajmet e rrejshme dhe kështu nuk besonin në ekzistencën e virusit.

“Dezinformatat kanë ndikuar në mortalitetin, flas për Maqedoninë. Tani lidhja është jo të themi drejtpërdrejt i kanë vrarë ato, mirëpo duke mos shkuar në spital duke qenë të bindur se nuk ekziston dhe në fund duke u bërë më keq, normal që spitali nuk mund të të shpëtojë”, tha Elida Zylbehari, gazetare Metamorphosis.

Petrit Saraçini nga Instituti për Media vlerëson se lajmet e shpejta që bëhen të gatshme në shtëpi nga “mediat joserioze” shkaktojnë dezinformata në opinion publik.

“Që të bëhet një lajm në një media serioze, jo vetëm që kushton më tepër por shkon edhe më shumë kohë, për dallim prej atij i cili mund të botojë dhjetëra lajme për një orë. Titujt janë shumë më atraktiv, sepse ai nuk ka kufij etik dhe profesional, ata tituj fillojnë të lexohen shumë e më shumë nga publiku për shkak se janë “klik-bejt” tituj të cilët janë të krijuar për ta tërhequr vëmendjen e publikut”, tha Petrit Saraçini, Instituti për Media dhe Analitikë.

Profesoresha e Komunikimit Rina Ajdari, dezinformatat i quajti helm për shoqërinë, ndërsa përmendi edhe ndryshimin e programeve shkollore me qëllim që të rinjtë të marrin një lloj edukimi mediatik, pas çka do të ishin më vigjilent në dallimin e lajmeve të vërteta dhe atyre të rrejshme.

“Problemi me dezinformatat në përgjithësi është një problem global, nuk e kemi vetëm ne këtu dhe tani unë mendoj se ka dalë nga kontrolli në të gjitha vendet e botës, mundohen në mënyra të ndryshme shtetet dhe sistemet ta rikthejnë kontrollin në atë drejtim”, tha Rina Ajdari, profesoreshë e Komunikimit.

Debatuesit apeluan që të injorohen lajmet dhe artikujt online të cilët janë me tituj senzacionalistë, sepse qëllimi i tyre është vetëm grumbullimi i klikimeve dhe jo informimi i drejtë.