Kryetari i Besës, Billall Kasami, ndërsa paraprakisht edhe kryeministri Hristijan Mickoski, informacionet për destabilizim eventual të shtetit i vendosën në kontekst rajonal. Kasami gjithashtu përmendi edhe skenarë rus për Ballkan jostabil.
“Ata janë të tensionuar, në këtë rast funksionarët e BDI-së, sepse po them edhe njëherë, sepse problemet që i kanë me organet e drejtësisë për keqpërdorimet që i kanë bërë, përfundimisht duhet që të japin llogari dhe mos të tentojnë që këtë ta mbulojnë me tentim për tensionim të situatës, sepse e dini që shumë shpejt ishte në rajon edhe drejtori i CIA-s, i cili me vizitën e tij tregoi se nuk do të tolerojë që Ballkani të jetë pjesë e skenarit rus për destabilizim”, tha Bilall Kasami.
Ndërsa paraprakisht në një intervistë televizive kryeministri Hristijan Mickoski, theksoi se tentativa për destabilizim është e mundur të jetë inskenuar jashtë vendit.
“Tani kemi pika tjera për jostabilitet në Ballkan. Që të hiqet vëmendja nga ato pika, ajo mund të jemi ne. Andaj ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë dhe për këtë punojmë seriozisht me partnerët tanë nga bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, një pjesë e analistëve bënë thirrje që informacionet të dorëzohen në organet kompetente që të pengohen aktivitete eventuale për destabilizim.
“Do të ishte jokorrekte politikisht, bile dhe vulgare nëse në opinion spekulohet vazhdimisht me informacione për destabilizim dhe ato janë në një formë të përgjithshme, siç po spekulohet për momentin në opinion. Ne nuk kemi informacione konkrete për çfarë lloji të destabilizimit bëhet fjalë, a do të jetë lokal, shtetërorë apo bëhet fjalë për kontekst më të gjerë rajonal”, tha Bllagojçe Atanasovski, analist politik.
Sipas Atanasovskit, në këtë rast po keqpërdoret termi “destabilizim”.
“Më vjen shumë keq që partneri etnik shqiptarë i koalicionit, VLEN, gjithashtu e keqpërdorë temën për destabilizim për shkak se në atë mënyrë krijohet defokus nga problemet me të cilët përballen të gjithë qytetarët”, u shpreh Atanasovski
Atanasovski shtoi se informacionet e tilla ndikojnë negativisht në momentin psikologjik të qytetarëve, posaçërisht te shoqëria e biznesit në një vend anëtarë të NATO-së.
