Koalicioni VLEN nuk pret demonstrata dhe detabilizim të vendit gjatë periudhës së vjeshtës, edhe pse për një gjë të tillë më herët paralajmëroi i pari i Qeverisë, Hristijan Mickoski. Zëvendësi i tij ti parë, Izet Mexhiti, thotë se edhe nëse Fronti Europian nxitë protesta, qytetarët shqiptarë nuk do t’i përkrahin ato, sepse siç pohon, nuk ka as kauzë kombëtare e as politike.
“Shqiptarët nuk do të përkrahin protesta dhe demonstrata të tilla ku nuk ka kauzë kombëtare dhe nuk ka kauzë politike. Atyre thjeshtë u duhet mjegull për ta shpëtuar lëkurën e vet dhe për t’i shpëtuar Soravitë dhe çështjet tjera korruptive që i kanë pasur”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.
Megjithatë nga Aleanca për Shqiptarët pjesë e Frontit Europian, thonë se të vetmit që shpërndajnë lajme për skenarë destabilizimi janë koalicioni VLEN dhe Vuçiqi. I bëjnë thirrje VLEN-it që të tërhiqen siç thonë, nga lojërat e tilla për t’i frikësuar shqiptarët.
“Të vetmit që vazhdojnë të shpërndajnë dezinformata për skenarë destabilizuese janë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesit e koalicionit vasal vLEN. Të parin e dinë të gjithë se i konvenojnë situata të tilla dhe shpesh herë ka qenë nxitës me deklaratat e tij. Por, këta të tjerët kujt i shërbejnë dhe në mullirin e kujt dërgojnë ujë që ende përsërisin retorikën për destabilizim”, thonë nga ASH-Sela/Fronti Europian.
Se destabilizim të vendit nuk do të ketë së fundmi e theksoi edhe vet kreu I BDI-së Ali Ahmeti, në takimin me ambasadorin bullgar, Angel Angellov. Ahmeti bëri thirrje që qytetarët të mos bien pre e provokimeve sepse paralajmërimet për destabilizim janë trillime.
Profesori Universitar për çështje sigurie, Bashkim Selmani, për TV21 thotë se një destabilizim eventual etnik në vend, më së paku do t’i konvenonte vet qytetarëve, sepse kjo do të rëndonte mirëqenien e tyre ekonomike.
“Po kjo është pasojë që të gjitha subjektet politike shqiptare gjatë gjithë qeverisjes por edhe qeverisë aktuale, nuk kanë një strategji të përbashkët për arsye se të gjitha të arriturat politike që arrihen në politikë nuk kanë pasur aftësi dhe mundësi që t’i rregullojnë të gjitha këto procese politike të rezultojnë për të përfituar ose të sigurta në aspektin juridik”, shtoi Bashkim Selmani, profesor universitar.
Përndryshe dje presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova, deklaroi se nuk do ta thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak se, sipas saj, paralajmërimet për destabilizim për momentin janë vetëm indikacion dhe realiteti është krejtësisht tjetër.