Deskovska: "Me një nënshkrim të Kryeministrit, shëndetsia rregullohet"

TË FUNDIT

Pyetjet e deputetëve filluan me kërkesën e LSDM-së që të shkarkohet ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov. Kryeministri Gruevski deklaroi se është shumë e lehtë të tregohet fajtori me gisht, dhe shtoi se qëkur Todorovi është ministër i shëndetësisë, gjendja në këtë sektor është përmirësuar ndjeshëm.

“Në këtë letër është bërë kërkesë drejt këtij Kuvendi për shkarkim të zotërisë Nikolla Todorov, ministrit të shëndetësisë. Si dorëzues i saj, është shënuar emri juaj. Vetëm me një nënshkrim në këtë kërkesë, ju mund ta zgjidhni problemin me të cilin për çdo ditë po ballafaqohen të gjithë qytetarët e Maqedonisë, e ai është bërja e një politike të keqe në shëndetësi”.

Kështu, deputetja e LSDM-së Renata Deskovska kërkoi nga kryeministri që ta shkarkojë ministrin e shëndetësisë Nikolla Todorovin. Ajo shtoi se numri i vdekshmërisë së foshnjave të sapolindura në Maqedoni është i madh dhe sipas statistikës evropiane “Eurostat”, në vitin 2013, në Maqedoni kanë vdekur 229 foshnja. Sipas saj, nga ndjenja e përgjegjësisë, Todorovi deri më tani duhej që vetë të kishte dhënë dorëheqje.

Kryeministri Nikolla Gruevski ndërkaq ia ktheu se është legjitime opozita të kërkojë fajtor për gjendjen në shëndetësi, por thotë se që nga koha kur Todorovi është ministër i shëndetësisë, gjendja është përmirësuar ndjeshëm.

“Nuk është punë e politikanëve të vlerësojnë se për ç‘arsye dikush ka ndërruar jetë dhe kush është fajtor për këtë. Për këtë gjë, ekzistojnë institucione të cilat bëjnë hulumtime dhe analiza, të cilat janë të qasshme për publikun, ku mund të shihet se kush çfarë punon, nëse ka ndodhur ndonjë gabim, kush është fajtori, kush duhet të mbajë përgjegjësi dhe jo vetëm të tregohet me gisht drejt dikujt, vetëm e vetëm të fitohen poena politike, që të duket se shqetësoheni për qytetarët, ndërsa qytetarët shumë mirë e dinë se kur LSDM-ja ishte në pushtet, nuk kishte asnjë pjesë të këtyre shërbimeve që tani i kanë”, u shpreh Nikolla Gruevski

Ministri Todorov, para fillimit të pyetjeve të sotme të deputetëve u shfaq në sallën e kuvendit, por vetëm për pak kohë. Gjatë kohës së pyetjeve të deputetëve, ai nuk ishte i pranishëm në sallë.