Dështoi seanca e sotme për pyetjet e deputetëve të opozitës. Fillimi i kësaj seance u shty që në nisje, pas reagimeve për shkak se një pjesë e ministrave edhe kësaj radhe nuk ishin të pranishëm. Rina Ajdari nga BDI-ja kërkoi një orë pauzë dhe insistoi që kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, të sigurojë praninë e të gjithë ministrave dhe t’i thërrasë ata nga bufeja e Kuvendit.
“Unë shoh se ministrat nuk janë të pranishëm në sallë, mungojnë dhe për këtë arsye kërkoj që ministrat të hyjnë në sallë gjatë pyetjeve të deputetëve dhe të mos qëndrojnë në bufe duke pirë kafe.Përveç faktit që unë kam pyetje, kam paralajmëruar pyetje për ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, që para tri javësh, ndërsa sot ai mungon. Kërkoj nga ju që t’i thërrisni ministrat që të jenë të pranishëm këtu dhe pastaj të vazhdojmë me pyetjet e deputetëve”, tha Rina Ajdari
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u përgjigj se të gjithë ministrat për të cilët ishte paralajmëruar se do t’u parashtroheshin pyetje ishin ftuar rregullisht dhe ishin të pranishëm, por disa prej tyre ndodheshin edhe jashtë shtetit. “Vetëm po e shpenzoni kohën e paraparë për pyetjet e opozitës”, komentoi Gashi.
“Shumica prej tyre janë të pranishëm këtu në sallë, ata që janë në radhë janë këtu. Kur të vijë momenti që deputeti të parashtrojë pyetjen, ata do të hyjnë në sallë. Ju lutem të më lejoni të jap përgjigje. Ndërsa ministrat që kishin obligim të udhëtonin jashtë shtetit, kanë njoftuar se nuk do të jenë të pranishëm, ndërsa në sallë janë të pranishëm zëvendësit e tyre”, tha Afrim Gashi
Pas pauzës, edhe deputeti Daniel Stojçevski nga radhët e ZNAM-it kërkoi një orë pauzë, me ç’rast Gashi tha se pas kësaj pauze do të vazhdohej me një seancë tjetër. Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga opozita.
“Meqë ju mbeteni në qëndrimin tuaj se këto dy orë të pauzës janë shfrytëzuar dhe se neve na ka kaluar mundësia për të parashtruar pyetje parlamentare, mendoj se nuk ka kuptim vazhdimi i mëtejmë i këtyre seancave”, deklaroi Rina Ajdari
“Kemi të bëjmë me një sjellje skandaloze sa i përket pengimit, veçanërisht të pyetjeve parlamentare të opozitës, sepse është e paprecedentë që, nga njëra anë, të vazhdojë praktika e mosparaqitjes së ministrave në seancë. Mendoj se, kryetar, është jashtëzakonisht jokorrekte që në këtë mënyrë të pengohet mbajtja e seancës për pyetjet parlamentare të opozitës”, theksoi Oliver Spasovski
Pas kësaj atmosfere të tensionuar, Gashi për herë të tretë ndërpreu seancën dhe i thirri koordinatorët e grupeve parlamentare për të arritur një marrëveshje.
