Dëshmitarja: Delibashiqi e urdhëroi vrasjen

TË FUNDIT

Me dëshminë e Samile Ajetit 59 vjeçe, ekonomiste, e cila jeton në Prishtinë, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka vazhduar gjykimi i Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve të tjerë, Dragan Delibashiq, Ilija e Nebojshja Vujaçiq dhe Aleksandër Llazoviq, të cilët ngarkohen për krime gjatë luftës, të kryera në rrugën e “Kovaçëve” në prillin e vitit 1999, si dhe për vrasjen, plagosjen, keqtrajtimin dhe dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga banesat dhe pronat e tyre në veri të Mitrovicës, më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.

Sikurse edhe tre dëshmitarët para saj, Shaip Canhasi, Gani Xhaka dhe vajza e saj, Rrezarta Ajeti, Samilja ka përshkruar në hollësi gjithë ngjarjen e natës së 3 shkurtit të vitit 2000, në të cilën, pos vrasjes së djalit të saj, Nderimit, dhe gruas së Gani Xhakës, Remzijes, plagë kishin marrë edhe bashkëshorti i saj, Nexhmedin Ajeti, si dhe vajza e saj, Rrezarta, shkruan ‘Zëri’.

Ata të gjithë ndodheshin në banesën e Nexhmedin Ajetit dhe sipas dëshmive të tyre, rreth orës 21:00, më 3 shkurt, një grup i serbëve kishin hedhur granatë dore në banesë, me ç’rast ishin vrarë djali i Samiles, Nderimi, bashkëshortja e Xhakës, Remzija si dhe ishin plagosur Nexhmedini dhe Rrezarta.