Në sallën e madhe gjyqësore në Idrizovë, sot vazhdoi gjykimi për rastin “Pulse”, ku dëshmuan dëshmitarë dhe të dëmtuar në këtë rast.
Një dëshmitar theksoi se rregullisht e ka vizituar objektin ku ishte diskoteka “Pulse” që nga viti 2018 dhe se në natën kritike, para zjarrit në mars të vitit 2025, brendësia e objektit nuk ishte e njëjta me atë të vitit 2018, kur edhe e kishte vizituar për herë të parë objektin ku ishte “Pulse”.
Prokuroria: A dukej kështu diskoteka gjatë gjithë periudhës kur e keni vizituar?
“Jo, gjatë vitit të fundit ishte kryer rinovim. Më herët, mbi dy baret kishte dy tarraca, të cilat u hoqën gjatë rinovimit. Kishte ndryshime edhe në skenë. Më parë ishte në formën e shkronjës P, ndërsa më pas u zgjerua përpara”, tha Ivan Danailov, mysafir në diskotekë në natën e kobshme.
