Gani Mikullovci, dëshmitar i fundit i prokurorisë në gjykimin kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë, ka rrëfyer të enjten para trupit gjykues për përjetimet e tij, natën e 3 shkurtit të vitit 2000, derisa ishte në banesën e tij që në atë kohë gjendej në veri të Mitrovicës.
Sipas tij, në natën kritike ai gjendej në banesë së bashku me bashkëshorten Naxhijen dhe djalin Bleratin.
Rreth orës 21:00, vazhdoi dëshmitari, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në afërsi të ndërtesës së tyre, dhe pas pak kohësh janë mbledhur më shumë se 200 serbë para ndërtesës.
Ai tha se një pjesë e tyre kanë hyrë me forcë në banesën e Muharrem Sokolit në katin e dytë, dhe pastaj kur është qetësuar pak situata, bashkëshortja e Muharremit, Gjyla, ka ardhur në katin e katërt dhe ka treguar se bashkëshorti i saj është i plagosur rëndë.
“Kam shkuar bashkë me Gjylën për t’i ndihmuar Muharremit. Kur kam hyrë në banesë e kam parë të shtrirë dhe pothuajse të përgjakur tërësisht. Ndjente dhembje të mëdha dhe thoshte unë po vdes”, ka thënë mes tjerash Mikullovci.
Ai ka sqaruar se ka kërkuar ndihmë nga fqiu i parë që ishte serb, Marko Radullo viq, me të cilin e kanë vendosur trupin e Muharremit në shtrat, ndërsa Gjyla, meqë ishte motër medicinale, i ka dhënë vazhdimisht ndihmë.
Megjithatë, dëshmitari tha se pas mesnatës Muharremi vdiq si pasojë e plagëve të marra, ndërsa ai me familje është evakuuar menjëherë pas kësaj në jug të qytetit me ndihmën e policisë së UNMIK-ut, përkatësisht vajzës së tij, e cila atëherë punonte si përkthyese në UNMIK.
Në lidhje me të akuzuarin Oliver Ivanoviq, dëshmitari bëri të ditur se e kishte njohur mirë edhe para lufte dhe se nuk e kishte parë gjatë natës kritike.
Mirëpo, kur prokurori pyeti dëshmitarin nëse është në dijeni për grupin e ashtuquajtur ‘rojat e urës’ dëshmitari ka rrëfyer vetëm një rast që kishte përjetuar.
“Kam lëvizur shpesh nëpër urë nga pjesa jugore në veri dhe anasjelltas dhe kam parë persona të cilët qëndronin afër urës dhe ndalonin shqiptarët, duke mos i lejuar ata të shk ojnë në veri. Ngjashëm më ka ndodhur edhe mua me një rast. Mirëpo, pasi më kanë ndaluar, kam vërejtur Oliver Ivanoviqin pak metra prapa këtyre personave, i cili po qëndronte në trotuar, dhe kam kërkuar ndihmë nga ai që të më mundësoj shkuarjen në banesën time në veri. Ai ju ka thënë këtyre personave t’ mos më pengojnë dhe unë kam kaluar pa problem”, sqaroi Mikullovci, duke shtuar se vazhdon të dyshojë se Oliveri ka qenë njëri nga organizatorët e këtij grupi.
Pas përfundimit të dëshmisë nga ana e Mikullovcit, seanca po mbahet e mbyllur ku pritet të diskutohet për masat e sigurisë për të akuzuarit.
Po ashtu, trupi gjykues vendosi që inspektimi i vendit të ngjarjes ku kanë ndodhur krimet të bëhet të hënën më 21 shtator fillimisht nga ora 9:30 në veri të qytetit, e pastaj në ora 13:30 në jug.
Në anën tjetër, avokati i të akuzuarit Ivanoviq, Nebojsha Vllajiq, tha se as dëshmitari i sotëm që ishte i fundi t i prokurorisë, nuk ka dhënë fakte që ndërlidhen me aktakuzën kundër klientit të tij.
Seanca e radhës u vendos të mbahet më 6 tetor, me marrje në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarit tjerë, Dragolub Delibashiq, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq,akuzohen për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve1999 – 2000 në Mitrovicë.
