Deri tani, vetëm 1 person ka përfituar nga viza ‘Gold Card’ e Trump

TË FUNDIT

Presidenti Donald Trump ka miratuar “vizën Gold Card”, një program ku një i huaj mund të paguajë të paktën 1 milion dollarë për të jetuar dhe punuar ligjërisht në SHBA, tha të enjten Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick — duke lënë të kuptohet se numri i përfituesve është më i ulët se sa ishte pretenduar më herët, përcjell TV21.

Pas lançimit të programit në dhjetor, Lutnick tha se qeveria kishte shitur “1.3 miliardë dollarë” në vetëm disa ditë, ndërsa Trump e prezantoi kartën e artë duke e quajtur “në thelb një green card me steroide”, transmeton NBC News.

Megjithatë, Lutnick nuk e shpjegoi mospërputhjen e dukshme gjatë një seance dëgjimore në Kongres të enjten, kur u pyet nga një kongresmene.

Trump e kishte propozuar idenë vitin e kaluar, fillimisht me një kosto prej 5 milionë dollarësh, duke argumentuar se ajo do të tërhiqte talent të huaj në SHBA dhe do të rrisë të ardhurat federale. Programi synon të zëvendësojë programin EB-5, i cili prej dekadash u jep viza SHBA personave që investojnë rreth 1 milion dollarë në një kompani me të paktën 10 punonjës.

Edhe pse vetëm një person është miratuar deri tani, “ka qindra në radhë që po shqyrtohen”, tha Lutnick, duke u shprehur i kënaqur me rezultatet e programit gjatë seancës në Kongres.

“Ata sapo e kanë krijuar dhe kanë dashur të sigurohen që ta bëjnë në mënyrën e duhur,” tha ai.

Një vit më parë, Lutnick kishte deklaruar në një mbledhje kabineti se “Gold Card” do të gjeneronte 1 trilion dollarë të ardhura dhe do të ndihmonte në “balancimin e buxhetit”. Borxhi publik është 31.3 trilion dollarë, ndërsa parashikimet tregojnë një deficit vjetor rreth 2 trilion dollarë.

Sekretari i Tregtisë shtoi se çdo aplikant paguan një tarifë prej 15,000 dollarësh përveç një milion dollarëve, për të mundësuar “verifikim të rreptë” të aplikantëve që më pas mund të hapin rrugën drejt shtetësisë amerikane. Gjithashtu, kompanitë mund të paguajnë 2 milionë dollarë për të sjellë një punonjës të huaj, plus një tarifë vjetore mirëmbajtjeje prej 1%.

Programi ka një faqe zyrtare me sloganin “Hap jetën në Amerikë”, ku paraqitet një kartë ari me imazhin e Trump-it, një shqiponjë, Statujën e Lirisë dhe nënshkrimin e tij. Faqja gjithashtu promovon “Trump Platinum Card” me vlerë 5 milionë dollarë, që lejon deri në 270 ditë qëndrim në SHBA pa taksuar të ardhurat jashtë SHBA-së.

Edhe pse Trump e ka ndërtuar një pjesë të imazhit të tij politik rreth deportimeve të emigrantëve pa status ligjor, ai ka mbështetur vazhdimisht emigracionin e kualifikuar, të cilin mund ta lehtësojë ky program.

Kur u pyet se si do të shpenzohen të ardhurat, Lutnick tha: “Kjo do të përcaktohet nga administrata, dhe kushtet janë për përmirësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Ideja është e ngjashme me programe të njohura në vende të tjera, pasi shumë shtete ofrojnë “viza të arta” për individë të pasur, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën, Greqinë, Maltën, Australinë, Kanadanë dhe Italinë.