Përmes Ministrisë së Transportit dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore do të sigurohen 40 mjete të reja për nevojat e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell TV21. Ai theksoi se me këtë blerje do të zgjidhet një nga problemet më të mëdha që ka pasur ndërmarrja gjatë viteve – makineritë e vjetruara, të papërkujdesura dhe të amortizuara, të cilat e kishin vështirësuar ndjeshëm ruajtjen e higjienës publike në kryeqytet.
Sipas Mickoskit, situata ishte komplikuar edhe nga numri i madh i punonjësve dhe nga efikasiteti i pamjaftueshëm i disa prej tyre.
“Me këta 40 kamionë jam i sigurt se shumë do të përmirësohet gjendja me higjienën në Shkup. Ashtu siç kemi premtuar edhe gjatë fushatës, dhe siç ka njoftuar edhe vetë kryetari i qytetit, higjiena është prioriteti ynë kryesor, dhe në këtë drejtim po ecim me këtë proces”, tha Mickoski.
Ai njoftoi se procesi i blerjes pritet të përfundojë deri vonë në pranverë, ndërsa dorëzimi i mjeteve do të fillojë deri në fund të vitit. Sipas kryeministrit, makineritë e reja do të mundësojnë punë më efikase të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” dhe përmirësim të dukshëm të pastërtisë në qytet.
“Megjithatë, 40 kamionë për mbledhjen e plehrave është një punë e madhe. Jo shumë kohë më parë patëm në Manastir prezantimin e një projekti tjetër, i cili gjithashtu mbështetet nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe ka edhe komponentë granti, e ai është deponia rajonale në Novac. Pjesë e këtij projekti është edhe blerja e kamionëve për mbledhjen e plehrave në komunat e Rajonit Jugperëndimor dhe të Pellagonisë. Gjithçka që ka qenë e bllokuar, nuk është punuar, është vjedhur, shkatërruar, ne po përpiqemi ta rilindim dhe ta vendosim përsëri në funksion. Nuk mund të bëhet brenda natës. Duhet të jemi të durueshëm”, tha kryeministri Mickoski.
