Viti 2023 duhet të jetë viti në të cilin me sukses do të përfundojë procesi i skriningut, të jetë vit i reformave të rëndësishme dhe progresit, por gjithashtu edhe vit i unitetit dhe konsensusit politik për progres në negociata dhe hapjen e kapitujve me plotësimin e ndryshimeve të patjetërsueshme kushtetuese të përcaktuara në kornizën negocuese. Këtë e theksoi zv.kryeministri Bojan Mariçiq në Komisionin parlamentarë për çështje europiane, ku u diskutua rreth skriningut të deritanishëm të Maqedonisë.
“Nga ne, përkatësisht, nga të gjithë ju të nderuar deputet, të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile varet nëse viti 2023 do të jetë vit për tu mbajtur mend sipas perspektivës sonë të qartë dhe të sigurt ose vit ku do të përjetojmë edhe një bllokadë, bllokadë të re, kësaj here të shkaktuar nga ne, në vendin tonë”, tha Bojan Mariçiq, zv.kryeministër për Çështje Europiane.
Për nevojën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese foli edhe kryetari i Komisionit Arbër Ademi i cili theksoi se është mirë që të ketë konsensus politik në lidhje me anëtarësimin e vendit në BE, por se kjo nuk guxon të jetë vetëm në mënyrë deklarative dhe se opozita duhet të kontribuojë që ndryshimet kushtetuese të ndodhin.
Megjithatë nga opozita përsëri me retorikën e njëjtë, se për hapjen e Kushtetutës paraprakisht duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme. Gordana Siljanovska Davkova nga radhët e VMRO-DPMNE-së tha se Kushtetuta thotë se sovraniteti po rrjedh nga qytetarët dhe se ata i sjellin vendimet.
“Nuk mund të fitoni me këtë program ndërsa të zbatoni një program tjetër. Të mos harrojmë se kur kualifikojmë se kryesues i BE-së është Suedia, afër saj ka një shtet tjetër, Danimarka, në Kushtetutat e tyre thuhet se nëse doni të bëni ndryshime kushtetuese, së pari duhet t’i pyesni qytetarët në zgjedhje”, tha Gordana Siljanovska Davkova, VMRO-DPMNE.
Procesi i skriningut mbaron në nëntor të këtij viti. Deri atëherë duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Preambulë si kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në, përkatësisht me hapjen e klasterëve.
