Kështu duken mesazhet elektronike që një numër i madh i qytetarëve kanë pranuar gjoja se në emër të Postës së Maqedonisë së Veriut, e ku u kërkohet pagesë prej 10 denarëve për pranim të dërgesave që as nuk i kanë porositur. Një prej qytetarëve që ka pranuar mesazh të tillë është edhe informaticienti Llokman Musliu. Si njohës i fushës ai shpjegon se shuma që kërkohet është qesharake, por qëllimi mund të jetë mjaft serioz, siç është vjedhja e parave nga karta e kreditit.
“Edhe unë isha target i këtij e-maili. E gjithë kjo praktikë është një mashtrim që bëhet dhe lehtë mund të vërtetohet nëse kontrollohet e-maili nga kush është dërguar. Shumica e institucioneve tek ne kanë mungesë të qartë të sigurisë ose kanë web faqe shumë bazike që nuk janë aspak të sigurta”, vlerëson Musliu.
Musliu shton se ky sulme të këtilla ekzistojnë që nga koha kur ekziston edhe vetë e-maili. Theksoi se nuk ka të bëjë me sigurinë kibernetike, megjithëse në nivel shtetëror siguria kibernetike është katastrofale, për shkak se, siç vlerëson, kuadrot në institucionet tona nuk janë të trajnuar mjaftueshëm.
“Pa mos dashur të ofendoj askënd që punon në sektorët e IT-së së institucioneve, por mendoj se ose nuk janë të trajnuar ose kanë mungesë të trajnimit në mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe të ngjashme”, shton Musliu.
Nga ana tjetër në njoftimin e Postës në lidhje me këtë rast thuhet se çdo rast i paraqitur në Postë, do të paraqitet në MPB. Rikujtojnë se dorëzimi i porosive bëhet ekskluzivisht nga punonjësit e postës.
“Njoftimin e vetëm dhe oficial për dorëzim të porosive tuaja e bëjnë shpërndarësit e Postës tonë”, thanë nga Posta e Maqedonisë së Veriut.
Përpos njoftimit të lëshuar, nga Posta e Maqedonisë së Veriut nuk iu përgjigjën kërkesës sonë për informacione më të hollësishme. E nga MPB për TV21 bëjnë të ditur se deri tek Sektori për Krim Kibernetik dhe Forenzikë Digjitale nuk janë raportuar raste për keqpërdorim të të dhënave personale. Kryerësit e këtij sulmi janë ende të panjohur.
“Sektori i krimit kibernetik ka kontrolluar lidhjen e shkruar në e-mail dhe është konstatuar se faqja në të cilën është drejtuar linku nuk ekziston, gjegjësisht është fshirë”, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndodh shpesh që qytetarët në forma të ndryshme, në e-mail, Viber, Watsapp ose në rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram të marrin mesazhe të dyshimta me linqe, të cilat kërkojnë të klikohen me premtimin për fitim parash ose ndonjë informacioni tjetër, por këto nuk janë asgjë më shumë se sa sulme hakerike përmes së cilave vidhen llogaritë qoftë të profileve online, por nëse jepen të dhëna të bankës, mund të depërtojnë deri tek llogaria e parave.
