Pas vizitës së ekipit amerikan për sanksione, të mërkurën po vjen këshilltari i Stejt Departamentit Amerikan, Derek Shole i cili gjatë vizitës së tij do të hapë disa çështje të rëndësishme mes të cilave edhe ajo për luftën kundër korrupsionit. Tani për tani nuk dihet nëse Shole do ta publikojë listën e zezë të politikanëve të korruptuar, gjë që e hulumtoi ekipi amerikan për sanksione në fillim të dhjetorit. Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler tha se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet numër 1 i diplomacisë amerikane në vend.
“Vetëm shkurtimisht, gjatë vizitës së tij këtu, ka plan që t’i riafirmojë debatet që paraprakisht i kishin në Nju Jork me telefon mes Shkupit dhe Uashingtonit, për të debatuar për prioritetet e përbashkëta dhe mendoj se e keni parë intervistën e tij ku foli për disa të prioriteteve siç është lufta kundër korrupsionit, që do të mbetet prioritet për Uashington dhe do të hapë disa çështje.”- Anxhela Ageler, Ambasadore e SHBA-ve.
Ministri i jashtëm Bujar Osmani tha se mbetet bashkëpunimi me SHBA-të në luftën kundër korrupsionit.
“Vitin e kaluar menjëherë pas fillimit të dialogut strategjik përmes përkrahjes financiare me disa miliona euro shtesë për gjyqësor, përmes ndihmës së ekspertëve përkatësisht përmes trajnimit të njerëzve që janë përfshirë në gjyqësor, ja paralajmërim edhe për sanksione dhe siç thashë, kjo është në kuadër të bashkëpunimit të dakorduar.”- Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Ambasadorja amerikane Ageler në Ministrinë e punëve të jashtme mori pjesë në takimin e përbashkët të ambasadorëve të vendeve anëtare dhe mbikëqyrës të Deklaratës së Adriatikut, kryesuesi i së cilës këtë vit është pikërisht vendi ynë. Maqedonia merr rol të liderit në bashkësinë e popujve europianë në një kohë tepër të rëndësishme, theksoi Ageler.
