Deputetët u lutën të punonin ose të bënin pauzë, në rend dite strategjia fiskale dhe huamarrja prej 260 milionë eurosh

TË FUNDIT

Strategjia fiskale 2027-2031 dhe ligji për huamarrje të re prej 260 milionë eurosh, ishin tema për përplasje mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit në seancën e Komisionit për Financim dhe Buxhet. Ka apo nuk ka kushte për mbajtjen e seancës dhe rendi i ndryshuar i ditës në të cilin pikë e parë u bë kredia prej 260 milionë eurosh që duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar, e më pas Strategjia Fiskale, e shtynë disa herë debatin me nga një orë pauzë. Nga opozita ishin të zemëruar që u ndryshua rendi i ditës dhe siç thanë, për pushtetin më i rëndësishëm është huaja që sillet me procedurë të shkurtuar sesa strategjia.

“Nuk ka procedurë të shkurtuar për huamarrje të re të njerëzve. 260 milionë plus kamata, për 320 nuk mund të jetë me vëllim të vogël. E pasi që ju dukshëm jeni mësuar se 320 milionë euro huamarrje nuk është asgjë për ju, sepse merrnit hua edhe miliardë e miliardë e miliardë, në dy vite 2.5 miliardë, normalisht që do të thoni se duhet me procedurë të shkurtuar. Të mos flasësh së pari për Strategjinë Fiskale, para huamarrjes është blerje kohe”, tha Fatmir Bytyqi – deputet LSDM.

Pushteti ndërkohë konsideron se ka kushte hapësinore dhe vend për debat.

“Siguruam kushte hapësinore, ishim maksimalisht korrektë. Ju lus juve si kryetare e Komisionit, të mos bëjmë anashkalime të caktuara të procedurave dhe menjëherë e pa shtyrje të vazhdojmë me punë. Mendoj se rregullorja është e qartë se ka afate. Konsiderojmë se ne kemi të drejtë me argumentet tona, kështu që nuk mendoj se dikush këtu duhet ta ndërpresë punën, sepse të gjitha argumentet e mundshme janë marrë. Hajde të punojmë dhe hajde të diskutojmë për atë që ndoshta ju konsideroni se nuk duhet të miratohet, ne jemi të bindur se kemi të drejtë”, u shpreh Bojan Stojanovski – deputet VMRO-DPMNE.

Kuvendi dje e votoi nevojën që ligji për huamarrje të re prej 260 milionë eurosh të votohet me procedurë të shkurtuar. Ndërkaq, me Strategjinë Fiskale 2027-2031 korrigjohet poshtë norma e rritjes së BPV-së për këtë vit nga 3.8 për qind të planifikuara fillimisht në 3.5%. Edhe ajo e inflacionit që shkon lart, kështu që këtë vit në vend të 2.5 për qind planifikohet të jetë 4.5 për qind.