Mbeturina në të gjitha anët, qelq e kafshë të ngordhura. Kjo është pamja te godina e ish Tehnometal Vardar që gjendet në zemrën e Shkupit. Qytetarët thonë se është turp që të ketë deponi në qendrën e Shkupit dhe kërkuan që autoritetet të ndërmarrin aktivitete për pastrimin e kësaj hapësire.
Nuk është në rregull, duhet të pastrohet. Ata që e kanë blerë duhej ta pastronin.
TV21: Sa kohë janë mbeturinat këtu?
Mendoj se dy muaj.
Nuk është në rregull, duhet të shihet se kush e ka marrë dhe pse nuk e ka rregulluar.
Kjo pamje është e tmerrshme, deponi të këtillë në qendrën e qytetit, askund nuk ka.
Patjetër, në qendrën e qytetit të ketë diçka të këtillë është turp.
“50 metra nga rruga Maqedonia, në qendrën e Shkupit ka deponi të cilën me muaj të tërë askush nuk e pastron. Kush është përgjegjës për pastrimin e saj”?
Askush nuk merr përgjegjësi për deponinë. Nga NP Higjiena komunale thonë se pronari i objektit e ka obligimin që ta pastrojë hapësirën këtu.
“Objekti për të cilin pyetni është pronë private dhe pastrimi i tij është obligim i pronarit. Nëse organ kompetent inspektues konstaton se gjendja e objektit është rrezik për shëndetin publik, atëherë duhet lëshuar urdhër adekuat për pastrimin e deponisë së egër, i cili urdhër i jepet pronarit të objektit. Nëse ai nuk e pastron objektin, atëherë organet inspektues dërgojnë urdhër deri te NP Higjiena komunale Shkup. Ndërmarrja deri më tani nuk ka marrë urdhër për ndërhyrje brenda këtij objekti nga asnjë organ kompetent.”- thanë nga NP “Higjiena Komunale” Shkup.
Me qëndrim të ngjashëm edhe komuna e Qendrës. Kryetari Goran Gerasimovski në bisedë telefonike për TV21 tha se të enjten është kryer mbikëqyrje inspektuese ndërsa pronarit të objektit i është dhënë paralajmërim për pastrimin e objektit.
“Pas denoncimit, të enjten është shkruar procesverbal dhe pronarëve u është dhënë urdhër për pastrimin e terrenit. Nëse brenda afatit të parashikuar ligjor, ata vetë nuk e pastrojnë hapësirën, do të gjobiten, ndërsa komuna do të ndërmarrë aktivitete për pastrimin e hapësirës.”- pohoi Goran Gerasimovski, Kryetar i Komunës Së Qendrës.
Nga Bushi Fashion, përmes kumtesës kërkuan që të mos përhapen informacione të rrejshme për shkak se deri më tani nuk kanë marrë asnjë paralajmërim për pastrimin e mbeturinave nga ana e organeve kompetente. Thonë se objektin e kanë pastruar disa herë, por i njëjti disa herë ka qenë cak i plaçkitësve. Andaj objekti është i rrethuar me gardh dhe i mbrojtur që të mos rrezikohet siguria e kalimtarëve.
“Mbeturinat që janë në afërsi të objektit nuk janë nga materiale ndërtimore, por i hedhin qytetarët. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë paralajmërim për pastrimin nga ana e organeve kompetente. Ju njoftojmë se nga nesër ne si pronarë do të ndërmarrim aktivitete shtesë për pastrimin dhe hedhjen e mbeturinave.”- thanë nga SHPP Bushi Feshn.
Godina e ish Tehnometal Vardar gjendet në afërsi të Ministrisë së drejtësisë, Ministrisë për punë dhe politikë sociale, NP Rrugë shtetërore, NP Rrugët e Maqedonisë, NP Parkingu i Qytetit, selisë së partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, megjithatë deri më tani askush nga ministrat, drejtorët, këshilltarët dhe udhëheqësit që punojnë në këto institucione, nuk janë ankuar për pamjen që po e shohin çdo ditë duke shkuar në punë.
