Në fshatin Lubosh të komunës së Studeniçanit po krijohet një deponi e re, e cila është vetëm 100 metra larg shkollës fillore “Alija Avdoviq”. Bëhet fjalë për një gropë të gërryer nga ana e çimentores “USJE” dhe të njëjtën pas përfundimit të punimeve, është dashur ta kthejnë në gjendje paraprake. Por gjendja reale është krejtësisht ndryshe. Aty tani hedhen mbeturina ndërtimore.
“Banorët e këtij fshati prapa kamerave u ankuan se kjo pjesë është dashur të mbulohet me dhe nga ana e çimentores ndërsa kjo e fundit, siç thonë, ka angazhuar këtë punë ta kryejë një kompani turke. Banorët thonë se gjatë ditës vijnë kamionë dhe zbrazin dheun ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes kur nuk i sheh askush, vijnë dhe zbrazin mbeturinat ndërtimore”, raporton Zekirja Haxhiu, gazetar i TV21.
Drejtori i shkollës fillore që gjendet në afërsi, ka dërguar madje edhe ankesë deri te komuna e Studeniçanit që urgjentisht të ndërpritet hedhja e mbeturinave, por siç na njoftuan, deri tani nuk ka pasur përgjigje.
Tv21 kërkoi prononcim nga komuna e Studeniçanit. Kryetari i kësaj komune Azem Sadiku nuk kishte njohuri për gjendjen faktike mirëpo tha se do të dërgojë ekip të inspektorëve të urbanizmit dhe në momentin që do të ketë dëshmi për këtë, do të merr masa për ndalimin e aktiviteteve dhe hedhjen e mbeturinave. Ai mohoi që shkolla të ketë dërguar ankesë deri te komuna.
TV21 morri përgjigje edhe nga çimentorja USJE, nga atje thonë:
“Duke qenë se ka përfunduar shfrytëzimi i kësaj miniere sipërfaqësore, aktivitetet janë duke vazhduar sipas planit. Parashikohet që në pjesën e poshtme të hidhet material inert (rrënoja ndërtimi dhe argjilë nga gërmimet), mbi të cilin parashikohet një shtresë sipërfaqësore e tokës pjellore me trashësi 0,3 deri në 1 metër. Mbushja me material inerte, duke përfshirë rrënojat e ndërtimit, kryhet për të përfituar një qëndrueshmëri më të madhe gjeomekanike të terrenit”, thonë nga USJE.
Se gjendja ekologjike lë për të dëshiruar, vitin e kaluar e konfirmoi edhe Komisioni Evropian. Sipas raportit të tyre, Maqedonia e Veriut duhet të forcojë dukshëm ambiciet e saj në lidhje me tranzicionin e gjelbër apo ekologjik, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.