Ish-presidenti amerikan George W Bush ka bërë një gafë gjatë një fjalimi mbi demokracinë teksa dënoi ‘pushtimin e pajustifikuar dhe të dhunshëm të Rusisë në Irak’.
Bush, i cili dërgoi trupat amerikane për të rrëzuar Saddam Husseinin gjatë kohës kur ishte president, u ngatërrua gjatë një fjalimi mbi demokracinë ditën e mërkurë.
“Zgjedhjet në Rusi u vodhën”, tha 75-vjeçari. “Kundërshtarët politikë burgosen ose përjashtohen nga proceset zgjedhore”.
“Ky është rezultati i mungesës së balancës mes pushteteve në Rusi”, tha ai.
“Vendimi i një njeriu të vetëm për të ndërmarrë një pushtim të pajustifikuar dhe të dhunshëm të Irakut … doja të thosha Ukrainës.”
Bush u përpoq ta kalonte me shaka duke ia hedhur fajin moshës për gafën e bërë, teksa audienca shpërtheu në të qeshura.
Ai ngrit supet dhe tha nën zë: “Edhe Irakun”.
