Delegacioni bullgar në Bruksel për bisedë lidhur me ndërprerjen e furnizimit me gaz nga Rusia

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri dhe ministri bullgar i Financave Asen Vasilev dhe ministri i Energjetikëa Aleksandar Nikollov pritet të arrijnë sot në Bruksel për takime në Komisionin Evropian.

Sipas Televizionit kombëtar bullgar, vizita e zyrtarëve të lartë bullgarë në Bruksel lidhet me vendimin e kompanisë ruse të gazit Gazprom për të ndërprerë furnizimin me gaz për Bullgarinë.

Vasilev do të zhvillojë bisedime me zëvendëskryetarin e Komisionit Evropian Frans Timermans.

Rusia ndërpreu dje furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë me arsyetimin se të dy vendet kishin refuzuar të paguanin në rubla.

Komisioni Evropian ka kumtuar se vendimi i Moskës është shantazh dhe provokim i Kremlinit, kurse pagesa në rubla është në kundërshtim me sanksionet evropiane.