Delegacion qeveritar në Davos, Mickoski: Pres rezultate frytdhënëse

TË FUNDIT

Rezultate frytdhënëse dhe tërheqje të një numri të madh investitorësh të huaj pret kryeministri Hristijan Mickoski nga pjesëmarrja në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Ai thotë se në forum do të prezantohen mundësitë për investim në Maqedoni.

 “Do të kemi takime frytdhënëse që presim të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe në tërheqjen e një numri të madh investimesh”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Forumi në qendrën dimërore zvicerane, që këtë vit mbahet nën moton “Në frymën e dialogut”, numëron rreth 3.000 pjesëmarrës, përfshirë 65 krerë të shteteve dhe qeverive, si dhe më shumë se 850 drejtorë ekzekutivë të kompanive më të mëdha botërore.

Në panel-diskutimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm, ku do të marrë pjesë delegacioni i Maqedonisë, do të prezantohen planet strategjike për transformimin energjetik dhe lidhjen infrastrukturore të rajonit.

 “Do të jem pjesëmarrës në tre panele ku do të prezantoj mundësitë për investim në Maqedoni, ndërkohë do të zhvillojmë edhe shumë takime bilaterale me kompani shumë të fuqishme botërore, kryesisht nga fusha e energjetikës dhe teknologjisë së lartë. Pres vërtet rezultate frytdhënëse”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Sipas njoftimeve nga kabineti qeveritar, në agjendë janë takime bilaterale me përfaqësues të korporatave kryesore botërore dhe institucioneve financiare. Parashihet edhe pjesëmarrje në sesione të mbyllura për liderë, si dhe në debate publike për inteligjencën artificiale, energjetikën dhe rrugët e reja për rritje ekonomike në Evropë.

Takimi vjetor në Davos zhvillohet në hijen e synimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Grenlandën. Vendimet që do të merren në Davos pritet të jenë kyçe për lëvizjet e tregjeve, investimet dhe rritjen globale ekonomike gjatë këtij viti.