Deklaratat e Trump për Venezuelën ulin çmimin e naftës

TË FUNDIT

Çmimet e naftës kanë vijuar edhe sot rënien në tregjet ndërkombëtare, mes shqetësimeve për rritje të ofertës globale, pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me Venezuelën.

Trump bëri të ditur se Venezuela pritet t’i dërgojë Shteteve të Bashkuara nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë, një sasi e konsiderueshme që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet e energjisë.

Në një postim të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump tha se kjo naftë, e cila aktualisht është nën sanksione, do të shitej me çmime tregu, ndërsa të ardhurat do të mbikëqyreshin prej tij si president, me qëllim që, sipas tij, të përdoreshin në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara.

Një fuçi nafte përmban 159 litra, ndërsa sasia e përmendur nga Trump është e barabartë me prodhimin një deri në dy mujor të naftës në Venezuelë, për të cilën nafta mbetet burimi kryesor i të ardhurave dhe valutës së huaj.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, çmimi i një fuçie të naftës Brent të Detit të Veriut për dorëzim në muajin mars ra sot në mëngjes me 56 cent, ose gati 1 për qind, duke u tregtuar në 60.14 dollarë, pasi një ditë më parë kishte shënuar rënie rreth 2 për qind.

Ndërkohë, nafta amerikane WTI për dorëzim në shkurt u ul me 73 cent, ose 1.3 për qind, në 56.40 dollarë për fuçi.

Për momentin mbetet e paqartë se për çfarë periudhe kohore do të vihet në dispozicion kjo sasi nafte e përmendur nga Trump, ndërsa autoritetet e reja në Karakas nuk kanë reaguar ende ndaj këtij njoftimi.