Dehari për një “Kërçovë funksionale”, Limani kanalizime në fshatrat e Zajazit, kurse Alili risjell vëmendjen te Spitali

TË FUNDIT

Asfaltimi i rrugëve, kanalizimi në fshatra dhe shërbimet sociale dhe shëndetësore, janë ndër premtimet kryesore që i japin kandidatët për kryetar të Kërçovës gjatë fushatës zgjedhore.

Fatmir Dehari, kandidati aktual i Kërçovës, i cili po rikandidohet për të katërtën herë nën ombrellën e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim, premton një Kërçovë funksionale.

“Qytet funksional me infrastrukturë moderne, pastërti dhe rrjet ekologjik. Kanalizime të reja. Mirëqenie për të gjithë qytetarët. Arsim cilësor, infrastrukturë rurale dhe turizëm dhe teknologji bashkëkohore. Shërbime sociale për të gjithë qytetarët”, tha Dehari.

Nga ana tjetër, kanalizim, veçanërisht për fshatrat e ish komunës Zajaz, si Zajaz dhe Kollarë, ka premtuar edhe kundërkandidati, Fatmir Limani nga radhët e koalicionit VLEN.

“Ju premtoj që fshatrat e ish komunës së Zajazit do të kenë ujë e kanalizime në fund të mandatit! E pakonceptueshme që nuk kanë sot Shekullin e 21-të!”, tha Limani.

Por, kundërkandidati i tyre, i pavarur, Shkodran Alili thotë se me të koha e premtimeve të rreme ka përfunduar, dhe premton Spitalin e Kërçovës, zgjidhjen e problemit me qentë endacak dhe një shtëpi për të moshuarit.

“Koha e premtimeve të rreme, pa përgjegjësi, në Kërçovë ka përfunduar!
Askush nuk do të më pengoj të ndërtoj spitalin e ri në kërçovë që në dy vitet e para të mandatit, spital për të cilin kemi gati projektin, planin e detajuar jurik dhe burimet financiare.
Njëkohësisht do ta zgjidhim problemin e qenve endacakë për më pak se një muaj përmes ndërtimit të një stacionari modern për trajtim të denjë.
Me fillimin e mandatit do të nisë edhe projekti për ndërtimin e një shtëpie moderne për personat e moshuar”, tha Alili.