Dehari: Nuk dua që me çdo kusht të mbetem drejtor! Mickoski të ketë kujdes kënd do ta sjell, ky institucion është themeluar me shumë sakrificë

TË FUNDIT

Se a i kërkoi Ibrahim Dehari kryeministrit Mickoski që të vazhdojë të mbetet në pozitën si drejtor i Parkut kombëtar “Mali Sharr”? TV21 e kontaktoi Ibrahim Deharin, i cili në një bisedë telefonike i tha TV21 se nuk kërkon që me çdo kusht të mbetet drejtor, por letra drejtuar kryeninistrit ishte për t’i bërë me dije se kënd do ta sjell pasi që siç tha, ky institucion është themeluar me shumë skarifica.

“Jo nuk them se të vazhdoj unë në pozitën e drejtorit se ndryshimet janë të natyrshme dhe unë nuk kam lindur për drejtor që të jem këtu e as që kam pretendime që me çdo kusht unë të vazhdoj në punë të jem këtu por i bëjë me dije kryeministrit se me çfarë sakrificash dhe mundesh ka arritur ky institucion brenda këtyre 2 viteve që të themelohet sepse është themeluar pothuajse pa mjete të shtetit dhe me donacione të huaja dhe me vrapime në Evropë e Amerikë, ashtu që të jetë i kujdesshëm se kë do të sjell dhe Sharri ka nevojë për menaxhim të drejt dhe të mirë ashtu që të ketë parasysh se kë do të sjell dhe mos ta nëpërkëmbë atë që është ndërtuar brenda këtyre 2 viteve e gjysmë”, tha Dehari.

Tutje, Dehari shtoi se, e gjitha është bërë përmes donacioneve, ndërkohë që permendi ndërtimin e zyreve dhe veturat zyrtare. Dehari tha se, kryeministri të jetë i kujdesshëm pasi ky institucion nuk financohet nga shteti.

“Kemi ngritur një institucion dhe është në drejtim të duhur dhe kemi arritur që përmes donatorëve të huaj të ndërtojmë zyre, të pajisemi me vetura, sigurojmë mjete. Të jetë i kujdesshëm se ne nuk financohemi nga buxheti i shtetit, nuk jemi buxhetor. Të jetë i vëmendshëm se kë do të sjell që të menaxhojë përtej kësaj dite”, deklaroi Dehari.