Dëgjohen “bombat” për “Monstrën”, “peshkatari është vrarë vetëm se ka qenë dëshmitar”

TË FUNDIT

“Si prokurore e autorizuar nga kryeprokurori i shtetit. Lufta për drejtësi vazhdon”, tha prokurorja Fatime Fetai.

Kështu u përgjigj prokurorja Fatime Fetai e pyetur në hyrje të gjykatës se në cilësinë e cilës prokurori udhëheq me lëndën “Monstra”. Fetai tani më nuk është  prokurore speciale, por prokurore publike e autorizuar nga kryeprokurori Lubomir Joveski për të udhëhequr me lëndën Monstra.

Ajo tha se tani që nuk është më “speciale” nuk do të thotë që është më pak e fuqishme dhe se lufta për drejtësi vazhdon. Nga ana tjetër bëhet e ditur se edhe me rastin  “Talir” do të udhëheqë një ish-speciale, Lençe Ristoska.

Ndërkohë që në seancën e sotme për Monstrën, u dëgjuan 25  “bombat” e para që janë biseda telefonike. Në “bombat” në përgjithësi personazh kryesor është  ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish shefi i DSK-së  Sasho Mijallkov, Mile Janakieski dhe Blerim Bexheti.

Më  13 prill 2019 në ora 20.35 Janakieski bisedon në telefon me Kire Boshkov. Bashkëbiseduesi e pyet Janakieskin: “Mos vallë ka ndonjë informatë lidhur me vrasjen e fëmijëve”, Janakievski i përgjigjet se është pare me Jankullovskën. Ajo i ka thënë se fëmijët nuk kanë qenë kriminel dhe zbulon se me shumë gjasa peshkatari është vrarë pasi ka qenë dëshmitarë i ngjarjes.

Në këto përgjime Jankullovska dhe Mijallkov përmendin ish-ministrin e drejtësisë Blerim Bexhetin. Ata bëjnë plan se si t’i bëjnë presion atij që ta nënshkruaj kërkesën për ekstradimin e  Alil dhe Afrim Ismailoviq nga Kosova. Sipas tyre Bexheti ka refuzuar të firmos kërkesën për ekstradim.

Prokurorja Fetai tha se analizën e gjithë bombave do të jap kur të përfundoj me dëgjimin e të gjitha materialeve.

“D.m.th. ajo çfarë duhej të dëgjohet u dëgjuan. Kush janë njerëzit që flasin në ato biseda. Koha e saktë kur janë zhvilluar ato biseda. Përmbajtjen e tyre e keni të qartë. Të gjithë ishit prezentë në sallën e gjyqit. Analizë të çdo prove, duke përfshirë këtu edhe bisedat që i dëgjuam sot do të ketë në fjalën përfundimtare. Deri atëherë duhet të keni durim”, u shpreh Fatime Fetai, prokurore.

Avokatja e viktimave Dafinka Ivanovska tha se është pritur shumë gjatë për këto përgjime, ndërsa sic tha nuk pati diçka konkrete.

“Shumë gjatë i kemi pritur këto bomba por megjithatë sa dëgjuam nuk kishte diçka konkrete. Mu duk e çuditshme se si është e mundur që lëndë të mëdha dhe hetimi si kjo  të ndahen me njerëz që nuk janë pjesë e hetimit pra e kam fjalën për Orce Kamcev dhe Olivera Trajkovskës. Po ashtu me erdhi shumë keq se si është e mundur që politika ka ndikuar se a të mbahen seanca për Monstrën ose jo, me të vërtetë është për të ardhur keq se si pushteti ka ndikim mbi gjyqësor”, deklaroi Dafinka Ivanovska, avokate e viktimave.

Ndërkohë gjatë seancës avokatët e palës mbrojtëse Naser Raufi dhe Asmir Alispahiq u dënuan nga trupi gjykues me gjobë prej 500 euro për shkak të vonesës në seancë dhe mos respektimin  e trupit gjykues. Vrasja e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, ka ndodhur më 12 prill 2012 kur mbetën të  vrarë 5 të rinj dhe peshkatari nga Cresheva. Të akuzuar: Fejzi dhe Haki Aziri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Sami Luta dhe Alil Demiri. Rasti është në rigjykim dhe po dëgjohen dëshmitë e reja mesazhe dhe biseda telefonike.