Debati për rikonstruimin e Qeverisë/ Kritika të ashpra dhe ofendime në Kuvend

TË FUNDIT

Rikonstruimi i kabinetit qeveritarë hyri në javën e tretë, ndërsa debati vazhdoi për propozimin e ministrave të ri. Deputetët nga pushteti dhe opozita edhe sot vazhduan me akuza të ndërsjella për atë se kush është më shumë i inkriminuar dhe korruptuar.

“Z. Kovaçevski fytyra është shumë e rëndësishme, të jesh faqe bardhë. Fytyra juaj është shumë e pistë dhe kriminele. Burrat e tillë si ju në lagjen time i thërrasin hipokritë. Një këshillë z. Kovaçevski, shihuni më shpesh në pasqyrë dhe do ta shihni pasigurinë e burrit te vetja dhe nëse vazhdoni kështu nuk do të ju thërrasin as në paradën e krenarisë.”- tha Zoran Kocevski, VMRO-DPMNE.

Replikoi Darko Kaevski, i cili tha se kur flasin për krim duhet të dinë se për ish funksionarët nga radhët e partisë së tyre ka lëndë gjyqësore, ndërsa këtu përmendi edhe shtëpinë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit.

“Kur flisni për krim dhe kur thoni se keni fytyrë, duhet të rikujtoheni se për shokët tuaj të partisë, për mbi 100 funksionarë ka procese gjyqësore për krim dhe korrupsion. Kur të flisni për krim duhet të keni fytyrë dhe të rikujtoheni se lideri tuaj i partisë ka ndërtuar shtëpi prej një milion eurove.”- tha Darko Kaevski, LSDM.

Pritet që deri në fund të ditës së sotme të përfundojë debati dhe të votohet për ministrat e rinj. Krenar Lloga për ministër të drejtësisë, Fatmir Mexhiti për ministër të shëndetësisë dhe Azir Aliu për shoqëri informatike dhe administratë, të gjithë nga radhët e ASH-së dhe Kaja Shukova për ministër të mjedisit jetësor dhe planifikim jetësor nga radhët e LSDM-së. Pas zgjedhjes së ministrave, Kuvendi duhet ta vazhdojë debatin për shkarkimin dhe pastaj për emërimin e zëvendësministrave.