Debati për Likovën në Click Plus, kush do të udhëheq Likovën në 4 vitet e ardhshme?

TË FUNDIT

Tre kandidatë që po garojnë për të udhëhequr komunën e Likovës kanë dërguar kritika deri te kryetari aktual i cili garon edhe për një mandat nga radhët e BDI-së, Erkan Arifi se ka bërë punësime në baza familjare dhe partiake. Kandidati i Lëvizjes Besa, Luan Ramadani tha se në Likovë mund të punësohesh vetëm nëse je simpatizantë i Bashkimit Demokratik për Integrim.

 “Nepotizmi në komunën tonë është një dukuri e madhe. Këtë nuk mund ta mohon askush. Tash nuk mund të nxjerr akuza përderisa nuk kemi fakte… Unë kam informacion se u është bërë  kontratë e punës personave të caktuar për në fshatin Hotël edhe pse nuk kanë pasur diplomën”, tha Luan Ramadani – kandidat i Lëvizjes Besa për Likovën.

Ndërsa kandidati i PDSH-së Hevzi Jashari thotë se të gjithë janë të detyruar të ikin jashtë shtetit për shkak nepotizmit.

 “Janë të detyruar të ikin dhe të shkojnë jashtë, edhe arsimtarë edhe të shkolluar ikin jashtë. Është një situatë që e prek çdo qytetarë”, u shpreh Hevzi Jashari, kandidat i PDSH-së për Likovën.

Kandidati i Aleancës për shqiptarët dhe Alternativa Arsim Idrizi tha se do të punojë në zhvillimin e ekonomisë e me këtë do të parandalojë edhe migrimin e të rinjve nga Likova.

 “Zhvillimi i dobët ekonomik se gjithandej po dëgjoj se po ja nisin me ujë dhe kanalizim natyrisht se këto janë gjërat elementare që e tangojnë popullatën e Komunës së Likovës. Mirëpo unë mendoj se si prioritet kryesor do ta kemi zhvillimin ekonomik në katër vitet e ardhshme. #me këtë ta parandaloj ikjen e të rinjve”, potencoi Arsim Idrizi, kandidat i ASH-AAA për Likovën.

E kandidati i BDI-së dhe kryetar aktual Erkan Arifi tha se shkollat në Likovë kanë kushtet më të mira në vend.

 “Ne jemi ndër komunat që i kemi shkollat me kushtet më të mira, siç e kemi shkollën e mesme. As në shkollat maqedonase s’mund të gjeni aso kushte. Si me smart tableta, si me sistem kabinetik”, tha Erkan Arifi, kandidat i BDI-së për Likovën.

Arifi nënvizoi se Komuna e Likovës i ka dyert e hapura për qytetarët, çdo minutë ndërsa i mohoi nga akuzat se ka punësuar familjarë në komunë.