Debati për komunën e Likovës në emisionin HAJDE FLASIM më së shumti u fokusua në deponinë afër fshatit Nikushtak e cila për shumë vite me radhë po helmon banorët e fshatrave përreth. Kandidati i AKI-së dhe kryetar aktual i kësaj komune, Erkan Arifi, fajin e drejtoi te Ministria e Ambientit.
“Ministria e ambientit jetësor dhe Qeveria nuk i kanë kryer detyrat të cilat i kanë marrë për ndërtimin e deponisë regjionale. Ministria e ambientit jetësor nënshkroi një kontratë për mirëmbajtjen e asaj deponie në afat 6 mujor, dhe menjëherë për 20 ditë sjelli një urdhëresë për mbylljen e asaj deponie e cila është urdhëresë për politikë ditore, për arsye se 82 komuna në nivel shtetëror e kanë statusin e njëjtë sikur ajo deponi dhe e vetmja zgjidhje është në aspekt institucional”, tha Erkan Arifi, AKI.
Kundërkandidati i tij nga VLEN, Nexhmedin Sadiku, tha se për 8 vite sa ka qene Arifi kryetar, është dashur të gjejë një vend tjetër për deponinë, sa më larg vendbanimeve.
“Kontestuese është edhe pse ka vendim të Qeverisë, kontestuese është afërsia e deponisë që është lejuar të bëhet aty afër, ka dëmtuar skajshmërish sidomos fshatin Nikushtak dhe fshatrat përreth. Është dashtë që të gjendet një vend për të krijuar një deponi të jetë së paku 3 km larg vendbanimeve, për shkak se kundërmimit të erës, zjarreve që shkaktohen, për shkak se grumbullohen qentë endacakë. Deri në këto moment nuk kanë gjetur zgjidhje adekuate”, u shpreh Nexhmedin Sadiku –VLEN.
Ndryshe, para disa ditëve kjo deponi është pastruar dhe më pas është mbyllur me vendim të Ministrisë për Mjedis jetësor dhe Planifikim Hapësinor.