Debati për Çairin në TV21, përballen Ganiu, Sali, Rexhepi dhe Gradinaj

TË FUNDIT

Debatet zgjedhore në TV21 nisën me kandidatët për kryetar të Komunës së Çairit. Pas debatit për gjendjen aktuale të komunës, se çfarë është bërë e çfarë jo deri më tani, kandidatët folën edhe për disa nga projektet që zotohen t’i realizojnë.

“Ju e dini që jam edhe nënkryetar i Bashkësive të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe aty kemi propozuar një sërë ligjesh që duhet ingerencat nga pushteti qendror të shtrihen te pushteti lokal që të kemi më tepër ingerenca dhe njëra nga to është që kemi kërkuar me propozimin tim që të kemi polici lokale”, tha Ganiu.

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës Bekim Sali, pohon se kanë një master-plan për Çairin e ri.

“Nuk parasheh vetëm zgjidhjet urbanistike por parasheh zgjidhje të tërësishme për banorët e Çairit që do të thotë proporcion mes numrit të banorëve, realizimi të objekteve arsimore-edukative dhe zhvillimit të jetës kulturore në Çair”, tha Sali.

Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa thotë se nuk kanë program voluminoz, por kanë projekte esenciale për të përmirësuar jetën e çairasve.

“Ne një nga projektet që e kemi është vend parkime në lagjet Gazi Babë, Serovë dhe Dizhon. Pasi ta marrim udhëheqësinë e komunës do të bisedojmë me banorët që të gjejmë të interesuar për shitjen e shtëpive që të bëhen parkingje falas për banorët e atij vendbanimi”, shtoi Rexhepi.

Përmirësimi i infrastrukturës prioritet është edhe për kandidatin e PDSh-së Misin Gradinaj.

“Unë e kam qëllimin ta ndërtoj rrugën “Bajram Shabani” për të dalë tek “Isa Begu” tek Bashkësia Islame, atë hotelin e marres ta heq, se ai është hotel i marreve, aty të bëhet nënkalim dhe të hyjmë për të shkuar për Aerodrom”, premton Gradinaj.

Në debat me pyetje u kyçë edhe anëtarë të forumeve rinore të partive politike si dhe dy analistë, Imer Selmani dhe Agron Vrangalla, të cilët dhanë sugjerimet dhe idetë e tyre për qeverisje më të mirë lokale!